De Ligt flet si lider: Nuk do lejojmë asnjë rast ndaj Torinos, gara për titull …
Nga një prej më të kritikuarve në fillim të sezonit, Matthijs de Ligt tashmë është kthyer në liderin e mbrojtjes së skuadrës së Juventusit. Mbrojtësi holandez po bën mjaft mirë me ekipin torinez, teksa në sfidat e fundit ka qënë një nga më të mirët.
“Kemi një duel të bukur me Lazio-n dhe Inter-in. Fitorja kundër Genoa-s ka qenë e rëndësishme me tre gola shumë të bukur dhe të rëndësishëm. Ai i Dybala-s ka qenë i mrekullueshëm, më pas bomba e Ronaldo-s dhe ai prestigjioz i Douglas Costa-s. Ndihem shumë më mirë fizikisht dhe jam më i qetë. Mendoj se në Itali ka shumë sulmues të ndryshëm, Lukaku është i fuqishëm dhe shpejtë, Immobile është i fortë me kurrizin ndaj portës.
Të gjitha ndeshjet janë të vështira, kundërshtarët tanë kanë sulmues të fortë. Unë kërkoj t’i studioj para ndeshjes. Inter është një skuadër e madhe dhe është pak pikë mbrapa. Kanë mbetur 9 ndeshje dhe secila prej tyre është e rëndësishme. Sfida është mes nesh, Inter-it dhe Lazio-s.
Derbi i fazës së parë ka qenë një kujtim i bukur, me golin tim të parë. Nuk ka qenë një moment i lehtë për mua dhe ai gol na ka lehtësuar mua dhe skuadrën. Jam përmirësuar shumë pas asaj dite dhe jam bërë ai që jam sot. Kundër Torino-s do të jetë një ndeshje speciale dhe e vështirë, kundër një skuadre të mirë me lojtarë të mirë. Nuk duhet t’u lejojmë asnjë rast”, u shpreh De Ligt për “Sky Sport”.