Dështon sërish, Nico Williams lë me “gisht në gojë” Barcelonën
Telenovela e verës ka marrë fund. Athletic Bilbao ka konfirmuar zyrtarisht zgjatjen e kontratës me yllin e tyre, Nico Williams, i cili ka nënshkruar deri në vitin 2035, duke refuzuar ofertat joshëse – përfshirë atë të Barcelonës, që për të dytin vit radhazi nuk arrin ta sjellë në “Camp Nou”.
Anësori 22-vjeçar, produkt i akademisë së klubit bask, është kthyer në një element thelbësor si për formacionin e Athletic-ut, ashtu edhe për Kombëtaren e Spanjës. Me këtë marrëveshje të re, klauzola e lirimit të tij është rritur me mbi 50%, duke e bërë largimin e tij të ardhshëm edhe më të vështirë.
“Nico Ëilliams nënshkruan zgjatje tetëvjeçare të kontratës me Athletic Club, deri në vitin 2035”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.
Vetë lojtari u shpreh i qartë për vendimin e tij: “Kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve, për mua gjëja më e rëndësishme është të dëgjoj zemrën time. Unë jam aty ku dua të jem, me njerëzit e mi. Kjo është shtëpia ime.”
Ky zhvillim përfaqëson një goditje të madhe për Barcelonën, e cila edhe këtë merkato kishte shfaqur interes serioz për shërbimet e tij, por u përball sërish me pengesa të mëdha financiare dhe kufizime në regjistrim.
