“Dhuratat” e para për Spallettin, Juvja merr një “po” nga Alisson dhe synon një tjetër brazilian
Rinovimi i kontratës me trajnerin Luciano Spalletti i hap rrugë një faze të re për Juventus në merkato. Pasi u zgjidh çështja e pankinës, drejtuesit Comolli dhe Modesto janë gati të fokusohen te afrimet për sezonin e ardhshëm, në përputhje me kërkesat e trajnerit.
Objektivi është i qartë: të rritet cilësia, personaliteti dhe eksperienca e skuadrës për ta bërë menjëherë konkurruese për tituj. Një nga prioritetet kryesore është porta, ku largimi i Michele Di Gregorio dhe Mattia Perin duket i sigurt. Në këtë drejtim, Juventusi ka përshpejtuar për Alisson Becker, portierin e Liverpoolit, të cilin Spalletti e ka stërvitur më parë te Roma.
Edhe pse braziliani ka rinovuar kontratën deri në vitin 2027, situata mund të ndryshojë. Liverpool ka investuar te Giorgi Mamardashvili, i cili pritet të bëhet titullar sezonin e ardhshëm. Sipas mediave italiane, kontaktet e para mes Juventusit dhe Alisson kanë qenë pozitive dhe portieri 33-vjeçar është i hapur për një aventurë të re në Evropë, edhe pse nuk përjashtohen oferta nga Arabia Saudite apo MLS. Përveç portës dhe sulmit (ku përmenden emra si Dusan Vlahovic apo Robert Lewandowski), Spalletti kërkon edhe një organizator loje.
Emri i preferuar është Ederson i Atalantës. Mesfushori brazilian ka kontratë deri në vitin 2027, por dëshiron të largohet nga Bergamo. Situata mbetet e komplikuar, pasi Atlético Madrid është aktualisht në avantazh dhe ka pasur kontakte me lojtarin. Kërkesa prej rreth 40 milionë eurosh nga Atalanta ka ngadalësuar negociatat, duke i dhënë Juventusit një mundësi për t’u futur në garë.
KOHA JONË SONDAZH

