Duro: Hyka i përket Partizanit, nëse kthehet në Shqipëri
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, u shpreh se rikthimi i Dorian Bylykbashit te Partizani ishte ideja e tij, si dhe foli edhe mbi mundësinë e afrimit të mundshëm të Jahmir Hykës. Me ardhjen e Bylykbashit, trajneri i të kuqve e cilëson të mbyllur merkaton e dimrit. – “Ky lojtar nuk ka nevojë për shumë koment pasi njihet mjaft mirë nga i gjithë opinioni sportiv. Karrierën si sportist e ka shumë të pasur, kujtojmë performancën e shkëlqyer në Ukrainë dhe formën e mirë që po kalon aktualisht. Mendoj që me cilësitë që ai zotëron, do jetë një kontribut i vlefshëm për ekipin tonë,” – theksoi Duro. – “Aktivizimi i tij sigurisht mund të jetë së bashku me Nexhipin, por normale do kemi alternime, kjo mbetet për t’u parë. Me këto dy blerje me siguri mund të them që merkato jonë është e mbyllur. Kam një ekip të fortë ku lojtarët kanë treguar një formë të mirë. Këto dy prurje ishin të nevojshme për skuadrën.”
Bylykbashi: Rikthehem në shtëpi
Dorian Bylykbashi rikthehet tek Partizani pas sezonit 2006 dhe thotë se mban ende kujtime shumë të bukura. – “Djemtë e skuadrës janë të gjithë të rinj, por pritja ka qenë mjaft e ngrohtë. Dua të falënderoj shumë Presidentin Demi, trajnerin Duro , drejtorin Starova, si dhe të gjithë stafin dhe tifozët që më kanë përkrahur. Dua të falënderoj gjithashtu edhe Presidentin Laze, i cili nuk më krijoj probleme për largimin tim dhe të gjithë tifozët e Elbasanit. Synimi im është t’i bashkëngjitem synimit të skuadrës për t’u shpallur kampion. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola, por e sigurtë është që do të jap maksimumin tim. Rivali i vetëm që kemi është vetvetja,” – theksoi Dorian Bylykbashi, 34 vjeç, i cili ishte pjesë e Elbasanit gjatë pjesës së parë të këtij sezoni.
Hyka, nëse vjen në Shqipëri, i Partizanit
Jahmir Hyka është i Partizanit, nëse kthehet në Shqipëri. Trajneri Shpëtim Duro e konsideron rikthimin e tij me një destinacion të vetëm, duke sfiduar hapur Tiranën. – “Dua të sqaroj që Jahmiri nuk ka shumë shanse të rikthehet në Shqipëri. Dhe sikur të rikthehet do ishte pjesë e jona dhe kurrsesi i Tiranës, këtë jua siguroj pasi është lojtar që e njoh mjaft mirë dhe e kam rritur vetë. Kur ishte pjesë e Tiranës kam qenë unë iniciatori i afrimit të tij,” – konfirmoi trajneri Duro. Aktualisht Hyka është lojtar i Lucernës në Zvicër, por në merkaton e janarit e ka lënë të hapur mundësinë e largimit, ngaqë nuk është aktivizuar rregullisht me këtë ekip.
A. Muraçi
KOHA JONË SONDAZH

