E ardhmja e Mbappe në dilemë, PSG hidhet në sulm për Salah
PSG po pret vendimin e Kylian Mbappe, nëse do të pranojë ofertën e klubit për të zgjatur kontratën pas vitit 2022, apo do të lërë gjigantët e Ligue 1 këtë verë, drejtori sportiv Leonardo ka bërë gati një listë me zëvendësuesit e mundshëm të tij, ku përfshihet edhe sulmuesi i Liverpool, Mohamed Salah.
Ky është lajmi që raporton nga burime të brendshme të klubit, rrjeti prestigjioz ESPN. 28-vjeçari Salah ka edhe 2 vite kontratë me “të kuqtë”, dhe ka shënuar 21 gola, duke dhënë edhe 4 asiste në 33 ndeshje të Premier League këtë sezon.
Gjithsesi pasi ka qëndruar në “Anfield Road” prej 4 vjetësh, PSG shpreson se futbollisti i kombëtares të Egjiptit është i hapur për në nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, veçanërisht nëse Liverpool dështon në misionin për t’u kualifikuar në Champions Leaguen e vitit të ardhshëm.
Salah i cili u mor për shumën e 42 milionë eurove nga Roma në verën e 2017 dhe që nga ajo kohë është përmirësuar jashtëzakonisht nën drejtimin e Jurgen Klopp, së fundmi ka deklaruar se klubi nuk i ka ofruar një zgjatje të kontratës.
KOHA JONË SONDAZH

