E mbani mend Podolskin? Luan ende në Poloni, por së fundmi ka goditur me grusht kundërshtarin (VIDEO)
Ish-kampioni i botës me Gjermaninë, Lukas Podolski, vazhdon ende të luajë futboll në elitën polake, në Ekstraklasa, ku është pjesë e Gornik Zabrze. Edhe pse në fazën e fundit të karrierës, ai mbetet një figurë e rëndësishme për ekipin, si në fushë ashtu edhe në aspektin e eksperiencës.
Megjithatë, fundjava e tij nuk shkoi siç pritej. Në ndeshjen e fituar 3-1 ndaj Rakow Częstochowa, Podolski u aktivizua në minutën e 90-të, por qëndrimi i tij në fushë zgjati vetëm dy minuta.
Pas një përplasjeje të ashpër me lojtarët kundërshtarë, përfshirë Stratos Svarnas dhe Michael Ameyaw, situata degjeneroi. Pas një ndërhyrjeje të fortë dhe provokimi nga Ameyaw, Podolski humbi kontrollin. Ai reagoi duke goditur kundërshtarin me grusht në bark,një veprim që shkaktoi reagime të forta në Poloni, për shkak të ashpërsisë së tij.
Arbitri Pawel Raczkowski nuk hezitoi dhe i tregoi menjëherë kartonin e kuq lojtarit të Górnik Zabrze. Podolski u largua nga fusha i irrituar, duke lënë pas një moment që pritet të diskutohet gjatë. Për të pritet një dënim disa javor për sjellje të dhunshme.
KOHA JONË SONDAZH

