
Egnatia regjistron humbjen e parë në këtë edicion të Ligës së Konferencës. Kampionët e Shqipërisë u mposhtën me rezultatin 2-0 në transfertë nga Universitatea Craiova, në përballjen e vlefshme për raundin e tretë të fazës së ligës.
Skuadra rumune hodhi themelet e fitores që në pjesën e parë, duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës brenda një harku kohor prej vetëm tetë minutash. Alexandru Cicâldău zhbllokoi shifrat në minutën e 24-t, ndërsa në minutën e 32-të ishte Nicușor Bancu që dyfishoi avantazhin e vendasve.
Në pjesën e dytë, Egnatia u përpoq të rikthehej në lojë dhe krijoi disa mundësi shënimi, kryesisht me Fernando dhe Ledjo Beqjan, por pa arritur të ndryshonte rezultatin. Për më tepër, në minutën e 83-të, skuadra rrogozhinase mbeti me një lojtar më pak, pasi Eneo Bitri u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u largua nga fusha.
Kështu, Egnatia nuk arrin të marrë pikë në transfertën rumune dhe pëson disfatën e parë në këtë kompeticion. Pas dy barazimeve në dy ndeshjet e para, kampionët e Shqipërisë mbeten në kuotën e dy pikëve në renditjen e fazës së ligës.
