Erkand Qerimaj në një rrëfim ekskluziv pas shpalljes Kampion i 3 Medaljeve të Arta

Intervistoi: Albina Gjergji

Fenomenal, i tillë është cilësuar ditën e djeshme Erkand Qerimaj, pas shpalljes kampion i 3 Medaljeve të Arta në Kupën Mesdhetare të Peshëngritjes, zhvilluar në San Marino. Shkodrani “kokëfortë”, i cili nuk di të dorëzohet kurrë arriti të dominonte disiplinën deri në 81 kilogramë, duke korrur tre fitore; në shtytje, shkëputje dhe dygarësh. 156 kilogramë ishte pesha që ai ngriti lart në stolin e shkëputjes, ndërsa në shtytje ia doli të ngrejë 190 kilogramë, duke fituar edhe vendin e parë në dygarësh, me një total prej 346 kilogramësh. Pikërisht për këtë triumf, por edhe për ambiciet e së ardhmes, ku synim i radhës janë Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Erkand Qerimaj vjen në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Koha Jonë” direkt pas shpalljes Kampion.

Triumfues në Kupën Mesdhetare të Peshëngritjes në 3 stile; shtytje, shkëputje dhe dygarësh, ktheheni nga San Marino kampion me 3 medalje të arta. Si e përjetuat këtë ngjarje Erkand dhe sa domethënëse ishte për ty kjo fitore?
Ishte shumë emocionuese vetë fakti i 3 medaljeve të arta; në shtytje, shkëputje dhe dygarësh, por më i rëndësishëm ishte rezultati që unë kisha dëshirë të përmirësoja dhe ia arrita. Gjithashtu edhe 3 rekordet e Mesdheut normalisht që ishin kënaqësi më vete. Plus që na u shpërblye mundi dhe djersa që kemi bërë gjithë këto kohë bashkë me trajnerin, Zef Kovaçi.

Fitorja e djeshme do të thotë biletë ekskluzive për në Lojërat Olimpike? Cilat janë pritshmëritë e tua për në “Tokio 2020”?
Fitorja e djeshme është një plus për në Lojërat Olimpike, pasi unë kam bërë tre gara kualifikuese. Kjo është gara e katërt. Normalisht që duhen minimumi të plotësohen gjashtë gara për kualifikimin për në Lojërat Olimpike. Kemi prapë muajin që vjen garë kualifikuese. Gjithashtu në janar dhe vitin tjetër kemi edhe Europianin. Domethënë janë gjashtë gara që duhet të marrim pikë për kualifikim për në Lojërat Olimpike. Gjithsesi, momentalisht jam brenda sportistëve më të mirë në botë, që pretendojnë për të marrë biletën për në “Tokio 2020”. Kjo garë ishte shumë pozitive me pikët që mora.

Një sukses personal dhe kombëtar, kujt ia dedikon fitoren e Kupës Mesdhetare të Peshëngritjes?
Në radhë të parë ia dedikoj gjithë mbështetësve të mi, duke filluar nga familja, trajneri dhe gjithë atyrë që më kanë inkurajuar ndër vite dhe kontribuojnë që unë të jem si nga ana fizike, psikologjike dhe mendore në maksimumin tim. Pra, kjo shkon për të gjithë shqiptarët kudo që janë në të gjithë botën, pasi ne përfaqësojmë flamurin, përfaqësojmë kombin, përfaqësojmë himnin tonë kudo që garojmë.

Zef Kovaçi është një nga personat dhe trajnerët që të ka ndenjur më afër në stërvitjet dhe karrierën tënde. Sa vite bashkëpunim numëroni me njëri-tjetrin dhe çfarë do t’i thoni publikisht sot atij?
Zef Kovaçi është trajneri im. është psikolog, masazhator… ai është shok i imi, njeri i familjes dhe unë ia kam thënë edhe personalisht, por ia them edhe publikisht; FALEMINDERIT për çdo moment që kontribuon për mua, gjithashtu edhe për arritjet që të gjithë ne sëbashku kemi realizuar.

Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Briken Calja… 3 emra që bënë krenare Shqipërinë. Po Shqipëria juve a ju ka bërë ndonjëherë krenarë Erkand?
Realisht unë, Briken Calja dhe Daniel Godelli kemi arritur të bëjmë krenar vendin dhe flamurin tonë në arenën ndërkombëtare. Mendoj se ka ardhur koha që edhe shteti të na bëjë të ndjehemi krenarë për atë çka ne përfaqësojmë. Pasi ne përfaqësojmë kombin shqiptar, Flamurin Kuq e Zi dhe duhet të shpërblehemi më tepër për mundin dhe sakrificat që bëjmë çdo ditë.

Përveç investimeve personale, a jeni ndjerë të mbështetur nga shteti shqiptar, apo vetëm në fitore kujtohen për ju?
Në raste fitoresh normalisht që kujtohen më tepër për të na mbështetur, por unë mendoj që me gjithë këto arritje që kemi për çdo garë si në Europian, si në Medaljet Botërore e ato Mesdhetare që kemi arritur t’i sjellim Shqipërisë (e që nuk janë të pakta) mendoj se meritojmë më shumë vëmendje dhe suport nga ana e shtetit. Ashtu siç kolegët tanë në të gjithë Europën, apo botën janë me fizioterapistë, masazhatorë dhe kushte të tjera nga ana financiare që në botë nuk diskutohen, mendoj se edhe ne meritojmë të jemi të mbështetur nga shteti njësoj. Por, të shpresojmë që gjërat do të përmirësohen.

Cilat janë synimet dhe ambiciet më të mëdha të Erkandit në sportin e Peshëngritjes?
Të gjitha këto gara që unë po bëj kanë për qëllim madhor Olimpiadën. Të gjitha këto shërbejnë për atë dhe kjo është ambicia ime kryesore. Por kemi edhe Europianin vitin tjetër në Moskë të Rusisë që është shumë e rëndësishme si garë dhe aty do fokusohem më tepër, pasi kualifikimi vlen për në Lojërat Olimpike të “Tokio 2020”. Garë, e cila është maja e sportit botëror.

Karakter e temperament i fortë, të ka ndodhur të dorëzohesh ndonjëherë në “fushë-betejën” sportit?
Kam patur momente shumë të vështira në karrierën time sportive, por jo se jam dorëzuar. Siç e thashë edhe më lart, për faktin që nuk kemi një doktor, masazhator, një staf që të kujdeset për ne sportistët… normalisht që edhe hasim në vështirësi. Viti 2012 ka qenë momenti më i vështirë i karrierës sime, por unë e kalova me sukses atë moment dhe u riktheva si Kampion Europe në 2014. Mendoj se është shumë e rëndësishme që në sport, apo në jetë edhe pse mund të rrëzohemi, duhet të ringrihemi përsëri. E, në momentin që ngrihemi të rikthehemi më të fortë, sepse ky është edhe qëllimi i jetës, që edhe nëse rrëzohemi, të ringrihemi përsëri.

Po përpara padrejtësive?
Përpara padrejtësive mundohemi të qëndrojmë të fortë, pasi në Shqipëri janë të shumta padrejtësitë që bëhen. Duke filluar nga të gjitha institucionet. Dhe ky është fakt, pasi të gjithë shqiptarët e provojnë çdo ditë këtë gjë, përgjithësisht në institucionet ku kërkojnë të drejtat e tyre. Megjithatë, shpresojmë që me reformat që po bëhen të ndryshojë diçka dhe të ketë më tepër shpresë për rininë, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve, në mënyrë që të ringjallet shpresa, pasi shumë njerëzve u ka humbur shpresa për të rigjetur drejtësinë e për të marrë mundin që u takon.

Një mesazh për admiruesit e tu, për të gjithë ata që e ndjekin ndër vite karrierën tënde?
Të gjithë admiruesve të mi dhe të gjithë atyre që e ndjekin prej vitesh karrierën time, dua t’u them që do të vazhdoj të stërvitem më fort dhe përveç këtyre medaljeve që nuk janë të pakta, të jeni të sigurtë që do të sjell edhe medalje të tjera dhe… nuk ka mbaruar me kaq. Faleminderit me zemër që besoni në mua.

/Koha Jonë/

SHKARKO APP