Etika shtyn sërish vendimin për çështjen “Skënderbeu”
Ankthi është i destinuar të vazhdojë, të paktën deri në 23 qershor. Komisioni i Etikës ka shtyrë për këtë datë seancën e radhës për gjykimin e çështjes “Skënderbeu” që mban pezull planet e disa klubeve të Kategorisë Superiore, Kjo është shtyrja e dytë që pëson çështja Skënderbeu pasi më parë në 30 maj, një ditë para finales së Kupës u vendos që të mblidhej pikërisht këtë të enjte, siç edhe ndodhi. Pas një mbledhjeje prej rreth 90 minutash, Komisioni i Etikës ka vendosur të marrë më tepër kohë, duke e arsyetuar këtë vendim, siç shpjegohet edhe në komunikimin zyrtar të FSHF pasi i duhet të përfshijë në proces edhe materiale të tjera të nevojshme për hetimin e një çështjeje tejet të rëndësishme për futbollin shqiptar.
Komisioni i Etikës në fakt ka prej muajsh dosjen e zbardhur me vendimin e KAS , që la në fuqi dënimin e UEFA-s të dhënë verën e kaluar për pezullimin me një vit të Skënderbeut nga kompeticionet europiane për trukim ndeshjesh dhe pritej që këtë herë të dilte me një vendim përfundimtar. Shtyrja e radhës në fakt do të thotë se Skënderbeu zyrtarisht do të jetë pjesë e shortit të eliminatoreve të Europa League që do të hidhet në datën 19 qershor. Peng i një vendimi përfundimtar në lidhje me Skënderbeun mbeten përveç klubit korçar edhe Tirana, që me një dënim eventual të Skënderbeut me rrëzim nga Kategoria do të mund të qëndronte në Kategorinë Superiore, Luftëtari që në rast mungesë te korçarëve në kompeticionet europiane do ti hapej dritarja jeshile për Europën, por edhe Partizani me trajnerin Starova që u shpreh i bindur pak ditë më parë në një intervistë ekskluzive për Supersport, se titulli kampion i edicionit 2015-2016 do t’i hiqet Skënderbeut për tju dhënë të kuqve.
Të gjitha hipoteza që mbeten ende pa një përgjigje, ndërkohë që në datën 29 qershor luhen edhe ndeshjet e turit të parë eliminator të Europa League ndaj dhe çdo ditë që kalon zbeh shpresat e klubeve që shpresojnë të përfitojnë nga një dënim i korçarëve. Në lupën e Etikës ndërkohë ka përfunduar edhe ndeshja e Kategorisë së Parë, Elbasani- Turbina e datës 30 mars e përfunduar me rezultatin 3-1 në favor të Elbasanit.
KOHA JONË SONDAZH

