Etrit Berisha: Surpriza tjetër e Lazios ndaj Juventusit
Etrit Berisha ishte një nga protagonistët e fitores së fundit të Lazios 5-2 me Empolin në “Olimpiko”. Sidomos në pjesën e dytë, portieri i kombëtares shqiptare shfaqi cilësitë e tij më të mira, edhe pse në këtë sezon është aktivizuar kryesisht në ndeshjet e Kupës së Italisë. Pas suksesit ndaj Empolit të Elseid Hysajt, 26-vjeçari që mbron edhe portën kuqezi, tha se ishte shumë i lumtur për ecurinë e Lazios, ndërsa në aspektin personal veçoi pritjen ndaj Hamsik, në përballjen e kaluar me Napolin. Vëmendja e Berishës pas suksesit me Empolin, përqendrohet te sfida me Juven, në kuadër të javës së 31-të të Serisë A. Sipas portierit shqiptar, Lazio do të udhëtojë drejt Torinon me idenë për t’u kthyer me tri pikë nga “Juventus Stadium”. Ecuria e jashtëzakonshme në kampionat, por edhe në Kupën e Italisë, ku Lazio ka arritur të prekë finale, reflektohet edhe me klimën pozitive që mbizotëron në kampin bardhekaltër. Berisha vijoi më tej, duke i shprehur që punon shumë në stërvitje, që në fushë të bëjë diferencën, mbi të gjitha duke ruajtur qetësinë edhe atëherë kur bën ndonjë gabim. Ne fund Berisha foli për marrëdhëniet me Federiko Marchetin, me të cilin komunikon shumë gjatë stërvitjes, duke përfituar nga eksperienca e portierit italian. Edhe Lorik Cana në përballjen e fundit bëri një paraqitje të shkëlqyer. Sa i përket kuqezinjve në Europë, Bekim Balaj e Shkëlzen Gashi shënuan sërish në fundjavë për ekipet e tyre respektive, në Kroaci e Zvicër. Por Gashi me Basel u bë pjesë e një ngjarje të pakëndshme në fund të ndeshjes dhe u ndëshkua me karton të kuq. Ndonëse ai kërkoi falje pas ndeshjes, si të nxituar dhe në gjaknxehtësi, është kritikuar për sjelljen e tij.
KOHA JONË SONDAZH

