Familja “Maldini” shkruan historinë, 1000 ndeshje me Milanin
Nëse flasim për familjen “Maldini”, atëherë çdo epitet pozitiv mund të mos jetë i mjaftueshëm për të shprehur realitetin unik kuqezi. Një dinasti, e cila bart plot 1000 paraqitje në Serie A me fanellën e Milanit; e filluar nga Cesare (347 ndeshje), e pasuar nga Paolo (647 ndeshje) dhe që vijon nga Daniel si protagonist i ri (6 ndeshje).
Duke hyrë në fushë si zëvendësues, gjatë ndeshjes së mbrëmshme Milan-Juve, mesfushori 19-vjeçar lombard i ka dhënë prestigj të mëtejshëm një linje të destinuar të mbetet unike në botën e futbollit.
Cesare u nda nga jeta më 2016. Drejtori i zonës teknike të Milanit u bë Paolo. Një perspektivë e jashtëzakonshme konsiderohet Daniel, i cili me punë të palodhur ishte në gjendje të merrte gradualisht vlerësimin e Stefano Pioli.
Askush nuk kishte asnjë dyshim mbi njërin prej talenteve të rritur në akademinë e “Djallit”. Nuk munguan sirenat e tregut, italiane dhe të huaja. Milani ka vendosur të ndërtojë një “mur” rreth diamantit të vet. Ai tashmë është thirrur për të përfaqësuar stafetën e një dinastie, të dy legjendave kuqezi, gjyshit dhe babait.