FIFA miraton 5 rregulla të reja për Botërorin 2026, stop simulimeve si Bastoni

Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, ka miratuar një paketë prej pesë rregullash të reja që do të aplikohen që nga Kupa e Botës 2026, e cila nis më 11 qershor me ndeshjen hapëse mes Meksikws dhe Afrikws sw Jugut.

Ndryshimet synojnë rritjen e drejtësisë në vendimmarrje dhe disiplinimin e ritmit të lojës, duke prekur drejtpërdrejt disa nga situatat më të debatueshme në futbollin modern.

Risia më e rëndësishme lidhet me përdorimin e sistemit VAR. Për herë të parë, VAR-i do të ketë të drejtë të ndërhyjë për të korrigjuar një karton të dytë të verdhë, në rast se arbitri kryesor ka gabuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky ndryshim vjen si përgjigje ndaj episodeve të diskutueshme, përfshirë rastin e simulimit të Alessandro Bastoni ndaj Pierre Kalulu. Gjithashtu, VAR mund të ndalojë ekzekutimin e goditjeve nga këndi nëse ato janë dhënë gabimisht.

Swiss Digital Mobile Reklama

FIFA ka vendosur rregulla të rrepta për të shmangur humbjen e kohës. Arbitrat do të numërojnë sekondat që një lojtar i zëvendësuar përdor për të dalë nga fusha. Nëse tejkalohet afati prej një minute, lojtari zëvendësues do të detyrohet të presë edhe 60 sekonda përpara se të futet në lojë, duke lënë ekipin përkohësisht me një lojtar më pak.

Në të njëjtën linjë, rivëniet nga porta dhe ato anësore duhet të ekzekutohen brenda pesë sekondave. Çdo vonesë përtej këtij limiti do të rezultojë me humbjen e topit. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm prek komunikimin në fushë: vetëm kapiteni i skuadrës do të ketë të drejtë të diskutojë me arbitrin. Çdo lojtar tjetër që kundërshton vendimet rrezikon të ndëshkohet me karton të verdhë.

Sipas rregullave të reja, lojtarët që marrin trajtim mjekësor në fushë duhet të dalin jashtë dhe të presin një minutë përpara rikthimit në lojë. Përjashtim bëjnë rastet kur ndërhyrja ndaj tyre ndëshkohet me karton të verdhë.

Me këto ndryshime, FIFA synon të reduktojë gabimet arbitrale, të luftojë simulimet dhe të rrisë kohën efektive të lojës. Botërori i vitit 2026 pritet të jetë një test i madh për këto rregulla, që mund të shënojnë një epokë të re në futbollin ndërkombëtar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?