Forma jo e mirë te Liverpooli, Alexander-Arnold mund të mbetet jashtë “Euro 2020”
Alexander-Arnold pritet të mbetet jashtë listës së futbollistëve që trajneri i Anglisë Gary Southgate do të marrë me vete në Kampionatin Europian 2020, pavarësisht formës mjaft të mirë që po kalon.
Tekniku anglez ka pasur shpesh rezerva për mënyrën e lojës së Alexander-Arnold dhe në eliminatoret e marsit e la jashtë atë, duke grumbulluar Kyle Walker, Reece James dhe Kieran Trippier në atë rol.
Mediat në Angli raportojnë se edhe në listën prej 26 futbollistësh që Southgate pritet ta publikojë këto ditë, Alexander-Arnold nuk do të jetë, pavarësisht se javët e fundit po tregon një formë të jashtëzakonshme me një gol dhe 4 asiste në 7 ndeshje.
Shkak duket mungesa e ekuilibrit mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, pasi në idenë e Southgate për formacionin e “tre luanëve”, i duhet një mbrojtës më i kujdesshëm sesa futbollisti i Liverpoolit, që avancon shumë dhe harron detyrat defensive.
Anglia e nis Kampionatin Europian më 13 qershor me përballjen ndaj Kroacisë, ndërsa Gary Southgate duhet të dorëzojë listën zyrtare me 26 futbollistët e grumbulluar brenda datës 1 qershor, që është edhe afati i fundit i vendosur nga UEFA.
Sipas mediave britanike, surpriza e listës së përfaqësueses së “Tre luanëve” pritet të jetë grumbullimi i 17-vjeçarit Jude Bellingham, i cili po bën një sezon mjaft të mirë me Borussian e Dortmundit.
KOHA JONË SONDAZH

