Galliani i jep shpresë Inzaghit, Milan kërkon fitoren ndaj Inter
Milan i zhgënjen të gjithë, nuk po kënaq më asnjë tifoz, por megjithatë Adriano Galliani mbështet trajnerin Filipo Inzaghi. Administratori i deleguar i Milanit deklaroi se nëse kuqezinjtë do të bëjnë mirë nga tani e deri në fund të kampionatit, Inzaghi do të konfirmohet në stol edhe për sezonin e ardhshëm. Milan aktualisht pozicionohet në vendin e 8-të të Serisë A, në kuotën e 42 pikëve, dhe ka pak shanse të luajë në kompeticionet evropiane. Në mediat italiane janë përmendur emra të tillë si pasues të Inzaghit, si Mihajlovic, Sarri, Donadoni dhe Emery, pasi ndryshe kriza do të vazhdojë. Gjithsesi Galliani konfirmoi edhe njëherë tjetër besimin e madh në drejtim të Inzaghit. – “Jam i bindur se nëse do të bëjmë mirë nga tani e deri në fund të sezonit Inzaghi do të jetë trajneri ynë edhe vitin e ardhshëm”. Trajnerit 41-vjeçar të Milan tashmë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të arrijë rezultatet e shumëdëshiruar në 8 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni duke filluar që nga derbi me Inter. Më pas Galliani dha një mendim edhe për një shitje të mundshme të klubit nga ana e presidentit Berlusconi si dhe foli për rëndësinë e derbit. “A do ta shesë Berlusconi Milanin? Unë besoj se vendimet e mundshme që presidenti mund të marrë do të jenë për të mirën e klubit, pasi ai e dashuron atë. Për momentin më mirë të mendojmë për Inter. Derbi i Milanos ka qenë gjithmonë shumë sportiv pasi tifozët shkojnë së bashku në stadium qofshin ata milanistë apo interistë dhe besoj se Milano do të vazhdojë të jetë një qytet përpara shumë të tjerëve nga kjo pikëpamje. Na duhet një trepikësh ndaj Inter për të shpresuar Europën. Skuadra ka bërë mirë në ndeshjet e fundit por duhet të vazhdojë me këtë ritëm”. Inter fitoi ndeshjen e fundit të Seria A, 0-3 në Verona, ndërsa Milan u ndal në barazim 1-1 me Sampdorian në fushën e tij.
KOHA JONË SONDAZH

