Gilman Lika pranon ofertën e Tiranës, Partizani “sulm” për Gjergj Muzakën

Gilman Lika dhe Gjergj Muzaka, mund të quhen lëvizjet e para të mëdha të merkatos së dimrit në kampionatin shqiptar. Të dy futbollistët janë pranë zyrtarizimit si blerje të Tiranës. Shkodrani Gilman Lika i ka dhënë zyrtarisht lamtumirë Flamurtarit, duke e zgjidhur kontratën me konsensus dhe brenda javës ai pritet të prezantohet me Tiranën, duke u rikthyer pas një sezoni e gjysmë tek e njëjta skuadër. Gjergj Muzaka, ende nuk e ka zgjidhur kontratën në Vlorë, pasi ekipi vlonjat dëshiron ta ketë atë edhe në pjesën e dytë të këtij sezoni. Por Muzaka ka rënë parimisht dakord për t’u kthyer tek Tirana, pasi mësohet se Presidenti Refik Halili i ka bërë dy javë më parë atij një ofertë të majme. Të dy futbollistët do të marrin secili afro 50 mijë euro, deri në fund të sezonit, nëse Tirana arrin dhe fiton titullin kampion, ose aq sa do të përfitonin në Vlorë, nëse nuk ia del dot të kurorëzohet me trofe. Por Partizani, skuadra tjetër kryeqytetase, i ka komplikuar disi lëvizjet e dy lojtarëve të cilët pjesën e parë të këtij sezoni e kaluan në Vlorë, në radhët e Flamurtarit. Kjo për faktin se kalimi i Likës dhe Muzakës në radhët e  Tiranës, i jep shanse më të mëdha rivalit të tyre historik që të shpallet kampione. Por nga ana tjetër dihen dy dëshirat e mëdha të tifozëve të Partizanit. E para, është që skuadra e tyre të shpallet kampione, dhe nëse nuk ia del dot, e dyta, është që titullin kampion të mos e fitojë Tirana. Në këto kushte presidenti Gaz Demi i ka bërë së fundmi një ofertë më të majme Muzakës, për ta rikthyer tek Partizani, duke qenë se ka nisur karrierrën me të ekip. Sakaq, teksa Muzaka pritet të vendosë mbi të ardhmen, Gilman Lika nuk ka dilema. Por përveç rikthimit të Muzakës, Partizani po mendon edhe për rikthimin e Igli Allmuçës, që është divorcuar nga Kukësi. Drejtori teknik, Sulejman Starova i ka bërë të qartë presidentit Demi se me rikthimin e këtyre dy lojtarëve, Partizani dhe tifozët do ta fitojnë besimin e duhur, për të rikthyer titullin e munguar prej dy dekadash. Vetë Starova, nisur nga marrëdhëniet e mira që ka me dy lojtartë është angazhuar për t’i bindur ata. Në këto kushte, edhe pse ky muaj nuk do të afrojë ndeshje në Kategorinë Superiore, dy ekipet kryeqytetase, Tirana dhe Partizani janë duke zhvilluar një garë të ashpër mes tyre, për të thithur elemenët më vilësorë të merkatos së dimrit dhe për ta nisur me më shumë besim pjesën e dytë të këtij sezoni.             

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?