“Xhevahirët” me vlerë 40 milionë euro, Interi më mirë se Juvja dhe Milani
Skuadrat italiane bënë investime të rëndësishme në verën e kaluar. Bëhet fjalë për blerje që arritën shifrën e 40 milionë eurove. Milan, Juventus dhe Inter konkretisht investuan në tri emra të talentuar si: Tonali, Kulusevski dhe Hakimi. Në fakt blerja e marokenit ishte mbyllur disa muaj më parë, ndaj dhe mund të themi së këtë bast e fituan pikërisht ata.
Jo sepse Kulusevski dhe Tonali ishin zgjedhje të gabuara, por juventini dhe milanisti deri më tani nuk kanë mundur që ende të shfaqin vlerat e tyre. Sa i përket Hakimit, pas një periudhë adaptimi, arriti që të ngrinte nivelin e lojës, duke bindur një trajner si Antonio Conte, i cili kërkon perfeksionin si në fazën sulmuese ashtu dhe në atë mbrojtëse. Pavarësisht disa gabimeve në prapavijë, rendimenti i tij në fazën e avancuar ka qenë fantastik.
Të njëjtën shumë investuan të tre skuadrat, por deri më tani marokeni është përshtatur më shpejt me ritmin e futbollit italian dhe në një ekip të madh. Të gjithë shumën e marrë nga shitja e Icardit e investuan për Hakimin, duke bërë një goditje perfekte. Nga ana tjetër Tonali te Milani deri më tani ka qenë një zëvendësues, ndërkohë që Kulusevski nuk e ka bërë hapin cilësor edhe pse ka luajtur në vazhdimësi nga mungesat e shumta te Juventusi në javët e fundit. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

