Hagi flet për bisedat e fundit me Lucescu-n: Më tha se po të humbte me Turqinë, do sëmurej rëndë dhe do vdiste
Bota e futbollit rumun është zhytur në zi pas ndarjes nga jeta të Mircea Lucescu, një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme si trajner dhe mentor për breza të tërë lojtarësh.
Mes reagimeve më prekëse ishte ai i legjendës Gheorghe Hagi, i cili në një prononcim për “Digi24” shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e njeriut që e konsideronte shumë më tepër se një trajner.
“Ishte shumë e vështirë të flisja. Vetëm tani po mundohem të gjej fjalët. Jam i tronditur”, u shpreh Hagi, duke treguar se lidhja mes tyre kishte kaluar kufijtë profesionalë.
Sipas tij, Lucescu kishte luajtur një rol vendimtar në jetën dhe karrierën e tij: “Për mua ishte si një baba. Më ka qëndruar pranë në momentet më të rëndësishme dhe më të vështira. Nuk ishte vetëm një trajner i madh, por mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm”.
Në fund, ai ndau edhe një kujtim personal që tregon lidhjen e fortë të trajnerit me futbollin: “Para ndeshjes së ‘play-off’-it ndaj Turqisë, më tha se nëse nuk do të kualifikoheshim, mund të sëmurej dhe madje të vdiste. Kaq i përkushtuar ishte ndaj lojës”.
KOHA JONË SONDAZH

