Hallaçi: Kukësi fiton të dy trofetë, shanse më shumë shanse se rivalët
Katër fitore radhazi në 4 ndeshjet e fundit, sidomos fitorja ndaj Skënderbeut në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë kanë rikthyer qetësi dhe optimizëm në kampin e Kukësit. Verilindorët kanë nisur përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Laçit, takim në të cilin Kukësi do të synojë vetëm fitoren. Në ndeshjen ndaj kurbinasve që do të zhvillohet në “Zeqir Ymeri” këtë të hënë, Kukësi do të ketë në dispozicion edhe një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm, kapitenin Rrahman Hallaçi, i cili konfirmon se e ka lënë pas dëmtimin pas mungesës për disa javë. – “Kam pasur një dëmtim në pulpë dhe së bashku me stafin teknik vendosëm që të mos zbrisja në fushë në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut për të mos rrezikuar. Gjithsesi tashmë jam gati dhe do të luaj që nga minuta e parë ndaj Laçit”. Skuadra laçiane është skuadra që u ka marrë më shumë pikë ekipeve pretendente në këtë sezon të Kategorisë Superiore dhe Hallaçit e ka mëse të qartë se Kukësin, e pret një ndeshje shumë e vështirë përballë formacionit që drejtohet nga Armando Cungu. – “Kemi një ndeshje të rëndësishme. E vlerësojmë kundërshtarin për paraqitjet që ka bërë në ndeshjet e fundit, por ne jemi një skuadër që jemi ndërtuar për të fituar trofe dhe nuk e kemi frikë Laçin”. Takimi i fazës së tretë, zhvilluar në Laç mes këtyre dy skuadrave u karakterizua nga një incident i rëndë. Tifozët e Laçit goditën mbrojtësin Dritan Smajli, por mbi atë ndeshje Hallaçi shprehet i sigurtë se të tilla incidente nuk do të përsëriten në “Zeqir Ymeri”. Ai u bëri thirrje tifozëve të Kukësit të tregojnë qytetari në këtë takim siç ka ndodhur gjatë gjithë këtij sezoni. – “Besoj se në këtë ndeshje incidente të tilla nuk do të përsëriten më. U bëj thirrje tifozëve të tregohen korrektë pasi na duhet ndihma e tyre për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë. Unë kam besim se ata do ta dëgjojnë fjalën time”. Kukësi i drejtuar nga trajneri Artim Shaqiri do të presë në “Zeqir Ymeri” me tre nga 4 skuadrat që pozicionohen në 5 vendet e para. Sipas kapitenit 31-vjecar faktori fushë është i rëndësishëm por jo thelbësor në këtë fazë të sezonit. – “Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme, por edhe në Kukës lejohet të luash futboll. Unë besoj se faktori fushë është i rëndësishëm por jo thelbësor”. Fitorja 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut i jep një shans të madh Kukësit për kualifikimit historik në finale të këtij kompeticioni. Hallaçi beson se skuadra e tij i ka mundësitë për ta mbyllur sezonin me dy trofe. Takimi i kthimit i kupës me Skënderbeun, ku do të vendoset një ndër finalistet, do të zhvillohet më 22 prill në Korçë. – “Rezultati i ndeshjes së parë është i mirë pasi e realizuam objektivin për të mos pësuar gol. Megjithatë në Korçë na pret një ndeshje e vështirë dhe për t’u kualifikuar në finale duhet të realizojmë minimalisht një gol,” – përfundon Rrahman Hallaçi.
KOHA JONË SONDAZH

