
Harry Kane nuk ka asnjë dilemë kur bëhet fjalë për zgjedhjen mes një çmimi individual dhe trofeut më të rëndësishëm për klubet në Evropë. Sulmuesi anglez ka deklaruar se do të hiqte dorë nga Topi i Artë, të cilin e ka fituar për herë të parë në karrierën e tij, në këmbim të triumfit në Champions League me Bayern Munich.
Në prag të përballjes evropiane ndaj Atletico Madridit, 33-vjeçari ka folur për objektivat e tij dhe rëndësinë që kanë sukseset kolektive në futboll.
Kane, i cili është bërë anglezi i parë që fiton Topin e Artë që prej vitit 2001, pas marrjes së këtij çmimi ka theksuar se trofetë e skuadrës mbeten prioriteti kryesor.
“Trofeut e fituar me ekipin janë arsyeja pse luajmë futboll. Ana kolektive e këtij sporti është jashtëzakonisht e rëndësishme. Fitimi i Topit të Artë javën e kaluar ishte një nga emocionet më të bukura të jetës dhe karrierës sime. Por të festoja me shokët e skuadrës dhe të ngrija trofeun e Champions League me Bayern do të ishte diçka e jashtëzakonshme”, u shpreh sulmuesi.
I pyetur se cilin prej dy trofeve do të zgjidhte nëse do të duhej të hiqte dorë nga njëri, Kane nuk hezitoi në përgjigjen e tij.
“Do të zgjidhja Champions League. Për fat të mirë, kam ende mundësinë për t’i fituar të dy trofetë, ndaj do të shohim çfarë do të ndodhë. Topi i Artë është një arritje e jashtëzakonshme dhe të ngre në një tjetër nivel, por finalet e mëdha dhe emocionet që ndan me skuadrën kanë një vlerë të veçantë”, deklaroi anglezi.
Sulmuesi foli gjithashtu për emocionet e përjetuara gjatë ceremonisë së Topit të Artë në Londër, duke e cilësuar javën e fundit si një periudhë me shumë emocione.
“Ka qenë një javë si në një slitë emocionesh. Ceremonia ishte një nga momentet më të bukura, jo vetëm për mua, por edhe për klubin. Ishte një nga ndjesitë më të mira që kam përjetuar ndonjëherë. Në të njëjtën kohë kemi kaluar edhe momente të vështira dhe situata ekstreme, por e gjithë kjo na ka bashkuar edhe më shumë dhe na motivon të luftojmë për çdo objektiv”, përfundoi Kane.
