Hysaj asist dhe karton të kuq, Lazio fiton ndaj Empolit të Ismajlit
Lazio ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Empolit, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0, në një ndeshje ku protagonist ishte mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj.
Shkodrani e nisi ndeshjen si titullar dhe u bë menjëherë vendimtar, duke asistuar golin e vetëm të takimit të shënuar nga Dia në minutat e para. Falë këtij goli, skuadra e trajnerit Baroni mori tre pikë të vlefshme në garën për vendet e para në Serie A.
Megjithatë, Hysaj nuk e përfundoi takimin në fushë. Ai u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 76-të, pasi mori dy kartonë të verdhë, duke e lënë Lazion me 10 futbollistë në fundin e ndeshjes. Edhe Empoli kishte mbetur më herët me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Kolombos.
Në krahun tjetër, një tjetër shqiptar, Ardian Ismajli, u aktivizua si titullar për Empolin dhe ishte një nga më të mirët për skuadrën e tij. Ai u vlerësua me notën 6.9, më e larta mes lojtarëve vendas.
Pas kësaj fitoreje, Lazio ngjitet në vendin e katërt me 63 pikë, ndërsa Empoli vazhdon të luftojë për mbijetesë, duke u renditur i parafundit me 25 pikë.
KOHA JONË SONDAZH

