Insigne dhe një autogol, Napoli fiton pastër ndaj Fiorentinës (VIDEO)
Napoli ka arritur që të marrë një fitore të pastër 2-0 ndaj Fiorentinës, duke ju afruar edhe më pranë kualifikimit për në Champions league. Fitorja e Juventusit dje ndaj Interit kishte shtuar jo pak presionin te të besuarit e Gattusos, të cilët e nisën menjëherë në sulm ndeshjen, por në disa raste portieri Terracano dhe në një moment traversa, u mohuan golin e avantazhit.
Takimi u zhbllokua vetëm në fillim të pjesës së dytë, kur pas një mbajtjeje me dorë të Milenkovic ndaj Rrahmanit, arbitri akordoi penallti për Napolin me ndihmën e VAR-it. Nga pika e bardhë shkoi Lorenzo Insigne, gjuajtja e të cilit u grushtua nga Terracano në momentin e parë, por kapiteni shtyu në rrjetë topin e kthyer nga portieri vjollcë.
Fiorentina provoi të reagojë për të rikthyer baraspeshën, por në minutën e 67-të ishte mesfushori Piotr Zielinski, që gjuajti nga distanca, ndërsa topi u devijua nga Venuti dhe përfundoi për herë të dytë në rrjetë.
Me avantazhin e dyfishtë skuadra e Gattusos e pati më të lehtë të menaxhojë lojën deri në fund dhe të marrë një 3-pikësh të rëndësishëm, teksa ka vetëm sfidën me Veronën për të siguruar kualifikimin në Champions.
KOHA JONË SONDAZH

