Interi i Chivu “makineri” golash edhe pa Thuram, 22 deri më tani në Seria A
Interi i Cristian Chivut po shfaq një forcë të jashtëzakonshme sulmuese në këtë fillim sezoni. Me 22 gola të shënuar në kampionat, zikaltërit kanë realizuar më shumë se çdo skuadër tjetër në Serie A: 6 më shumë se Napoli, 12 më shumë se Roma, 8 më shumë se Milani (me të njëjtin numër pikësh) dhe 10 më shumë se Juventusi e surpriza Como.
Forca e Interit qëndron në shpërndarjen e golave, pasi 10 lojtarë të ndryshëm kanë gjetur rrugën e rrjetës deri tani. Golashënuesi më i mirë është Hakan Çalhanoglu me 5 gola, i ndjekur nga Lautaro Martínez, Marcus Thuram dhe Bonny me 3 secili, Dimarco me 2, ndërsa Bastoni, Dumfries, Barella, Pio Esposito dhe Sucic kanë nga një gol. Në total, llogaritja arrin në 22 gola, duke përfshirë edhe autogolin e Muharemovic të Sassuolos.
Këto shifra tregojnë fytyrën ofensive të skuadrës, edhe pse për shkak të dëmtimit, Interi është detyruar të luajë një muaj pa Thuram, mungesë që statistikisht nuk është ndjerë shumë, por që ka pasur efekte taktike dhe fizike.
Në këtë periudhë, Bonny dhe Pio Esposito kanë mbajtur peshën e sulmit përkrah kapitenit Lautaro Martínez, i cili ka qenë i pandalshëm mes kampionatit, Champions-it dhe ndeshjeve me kombëtaren argjentinase, pothuajse pa asnjë pushim. Lajmet e fundit nga qendra stërvitore zikaltër janë pozitive: Thuram është rikthyer të stërvitet me skuadrën dhe, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të jetë në listën e thirrjeve për ndeshjen e së dielës kundër Veronës.
KOHA JONË SONDAZH

