Inter është shumë pranë sigurimit të titullit në Serie A, por drejtuesit zikaltër kanë nisur paralelisht përgatitjet për një verë të nxehtë në merkato, ku pritet një revolucion i thellë në skuadër. Hapi i parë i klubit është rinovimi i kontratës me trajnerin Cristian Chivu, një sinjal i qartë për të forcuar projektin teknik dhe për t’i dhënë më shumë stabilitet pankinës.
Në të njëjtën kohë, drejtuesit kanë hapur bisedimet me Barcelona për transferimin e Alessandro Bastoni. Mbrojtësi i kombëtares italiane shihet si lojtari kryesor që mund të sakrifikohet për të gjeneruar të ardhura të konsiderueshme, të cilat do të përdoren për rindërtimin e repartit defensiv. Vendimi i tij për t’u larguar lidhet edhe me presionin e madh që ka përjetuar kohët e fundit në stadiume të ndryshme.
Nga ana tjetër, disa largime duken të pashmangshme. Francesco Acerbi, Stefan de Vrij dhe Matteo Darmian pritet të largohen me parametra zero, pasi kontratat e tyre po shkojnë drejt fundit. Ndërkohë, edhe Carlos Augusto mund të largohet në rast të një oferte të kënaqshme.
Situata mbetet e hapur edhe për Denzel Dumfries, për të cilin ka interes konkret nga klubet e Premier League, por edhe nga Bayern Munich. Me shumë ndryshime në horizont, Inter synon të ndërtojë një skuadër të re konkurruese për sezonin e ardhshëm.
