Interi zgjidh problemet ekonomike, merr një fond 275 milionë euro nga Amerika
Teksa po bëhet gati për ceremoninë e titullit kampion, Interi mund t’i gëzohen një tjetër arritjeje, këtë herë jashtë fushave të lojës. Grupi Suning, që ka edhe pronësinë e klubit milanez, ka firmosur më në fund marrëveshjen me fondin kalifornian Oaktree Capital Managment, që do të injektojë menjëherë 275 milionë euro në arkat e Interit.
Kjo shifër do të ndihmojë zikaltrit të shlyejnë të gjitha detyrimet e prapambetura, qofshin pagat e futbollistëve, apo pagesa ndaj të tretëve, teksa Oaktree ka marrë përsipër të ndihmojë klubin gjatë tre viteve të ardhshme, në përballimin e humbjeve të shkaktuara nga pandemia.
Nëpërmjet pagesës së kësaj shifre, fondi amerikan merr nën kontroll një pjesë prej rreth 29% të aksioneve të klubit zikaltër, teksa marrëveshja parashikon që nëse Suning nuk shlyen detyrimet për tre vite, atëherë Oaktree merr shumicën e aksioneve.
Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje mjaft të rëndësishme për të ardhmen e klubit, tashmë pritet që Steven Zhang të ulet me Antonio Conten dhe drejtuesit zikaltër, për të rinovuar kontratën e trajnerit dhe për të planifikuar të ardhmen.
KOHA JONË SONDAZH

