Intervista/ Kumbulla: Duhet të largohesha nga Roma për të rigjetur veten, të ardhmen nuk e di …

Marash Kumbulla po përjeton një nga sezonet më të mira në karrierë, gjatë huazimit të tij te Espanyol në La Liga. Ish-mbrojtësi i Hellas Verona, ende nën kontratë te Roma, është një ndër më të mirët në kampionatin spanjoll dhe i gjashti për numrin e topave të larguar nga zona, duke treguar formë të shkëlqyer.

Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ai ka folur për të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen. E ardhmja e tij është ende e paqartë, pasi marrëveshja me klubin katalanas është vetëm një huazim i thjeshtë pa të drejtë blerjeje.

Nuk e di, nuk kam asnjë ide. Jam këtu në huazim deri në fund të sezonit dhe ndihem shumë mirë. Do të jenë klubet ato që do të vendosin”, u shpreh Kumbulla.

I pyetur për mungesën e vazhdimësisë te Roma, ai u tregua i sinqertë:

Dua të them që jam shumë i lumtur që skuadra dhe shokët e mi e kanë gjetur sërish qetësinë dhe rezultatet me Ranierin. Por tani prioriteti im është Espanyol: të shpëtojmë nga rënia dhe të qëndrojmë të bashkuar me tifozët është mendimi im i vetëm. Për Romën nuk e di çfarë ndodhi, ndoshta një përzierje gjërash, por largimi ishte zgjedhja e duhur për t’u gjetur sërish. Nuk dua të tingëlloj arrogant, por disi e prisja që do të bëja mirë”.

Për trajnerët që e kanë udhëhequr, flet me respekt të madh:

Mourinho është i jashtëzakonshëm, i drejtë, ndonjëherë i ashpër, por të thotë gjithmonë të vërtetën në sy. Kjo më ndihmoi shumë të piqem. Me De Rossin kam punuar pak, por më pëlqejnë idetë e tij dhe mënyra si i afrohet skuadrës. Simpatik kur duhet, serioz kur duhet. Njësoj si trajneri ynë këtu, Manolo Gonzalez, më kujton shumë Danielen: ka empati dhe nuk bën dallime”.

Një mendim edhe për Ivan Juric, trajnerin që e zbuloi te Verona:

Nuk e prisja që në Romë do të shkonte kështu. Për mua është një trajner shumë i mirë dhe një njeri i mirë. E vlerësoj shumë. Nuk flasim shpesh, por kur kemi ndonjë ngjarje të rëndësishme, shkëmbejmë ndonjë mesazh urimi”.

I pyetur nëse është ndryshuar nga kjo përvojë në Spanjë, ai thotë: “Më shumë i rritur sesa i ndryshuar. Është një eksperiencë që do t’ia rekomandoja gjithkujt”. /Koha Jonë/

SHKARKO APP