Italia mposht Izraelin 3-0 dhe siguron vendin në “play-off”-et e Botërorit 2026
Italia ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë të Grupit I të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, duke mposhtur Izraelin 3-0 në “Bluenergy Stadium” të Udines. Me këtë sukses, skuadra e drejtuar nga Gennaro Gattuso siguron matematikisht një vend në play-off, duke mbajtur gjallë shpresat për një rikthim në Botëror pas 12 vitesh mungesë.
Protagonisti absolut i mbrëmjes ishte Mateo Retegui, autor i dy golave vendimtarë. Sulmuesi argjentinas me pasaportë italiane zhbllokoi sfidën në minutat shtesë të pjesës së parë, pasi fitoi dhe shndërroi në gol një penallti. Në pjesën e dytë, Retegui realizoi një tjetër gol spektakolar, me një goditje precize me të djathtën drejt këndit të sipërm të portës, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Në minutat e fundit, Gianluca Mancini vulosi rezultatin përfundimtar 3-0, duke i dhënë “azzurrëve” një fitore të pastër dhe shumë të rëndësishme për vazhdimësinë.
Në ndeshjet e ardhshme të muajit të ardhshëm, Italia do të përballet me Moldavinë dhe Norvegjinë. Edhe pse mund të barazojë norvegjezët në pikë, diferenca e golave e bën të pamundur kalimin e tyre në renditje, ndaj duket se rruga drejt Botërorit do të kalojë sërish nga “play-off”-et. Në ndeshjet e tjera Portugalia barazoi 2-2 me Hungarinë, ndërkohë që Spanja mundi 4-0 Bullgarinë.
KOHA JONË SONDAZH

