Josa: Duhet kujdes ndaj Apolonisë, nuk jemi ne favoritët!
Mirel Josa doli para mediave këtë të enjte për të folur për ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë, sfidë që do të zhvillohet të premten në “Elbasan Arena”. Trajneri i verilindorëve u bëri thirrje futbollistëve të tij të mos nënvlerësojnë Apoloninë.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, si për ne ashtu dhe për Apoloninë. Kjo për vetë nevojën që kanë të dy skuadrat për pikë. Ne duhet të tregojmë respektin karshi kundërshtarëve, qoftë Apolonia apo çdo skuadër tjetër. Duke respektuar kundërshtarët, ne respektojmë edhe punën tonë. Nuk duhet të qëndrojmë te ndeshjet e kaluara, të shohim ndeshjen me Apoloninë, që është e karikuar në këtë periudhë. Kërkon pikët e veta, ka nevojë për to. Këto pikë i duam gjithashtu edhe ne. Është një ndeshje ku nuk ka fare rëndësi pozicioni i skuadrave në renditje, ka rëndësi vazhdimësia e dy skuadrave.
Mungesa e Gashit? E kam thënë edhe më parë, njëherë na ka munguar Ibraimi, pastaj Eze dhe Gashi. I kemi përballuar gjatë kësaj kohe, edhe pse kemi pasur problemet tona. Normal që dua t’i kem të gjithë lojtarët në dispozicion .Pjesa tjetër e skuadrës është e kompletuar. Kemi nevojë për rikuperimin fizik të lojtarëve. Apolonia luajti me Laçin dhe ne në Shkodër, dy ndeshje shumë të forta. Rikuperimi fizik është kryesori.
Ne favoritë? Jo, fare. Nuk i shikoj pozitat në renditje. Nëse respekton kundërshtarin, atëherë ke respektuar punën tënde: kjo është teoria ime e punës.
Limaj? Nuk merrem me individë, më intereson skuadra. Limajt i është dhënë shansi për të luajtur, mund t’i jepet përsëri në varësi të zhvillimit të ndeshjes. Mua më intereson si do të shkojë skuadra dhe çfarë rezultati do të marrë“, përfundoi Josa.
KOHA JONË SONDAZH

