Josa: Nuk më mban të lidhur kontrata, kështu rrezikojmë “Play Out”-in
Kukësi po kalon një nga sezonet më të vështira në vitet e fundit, teksa rrezikon që të shkojë edhe në zonën e “Play Out”. Sfida e radhës për nënkampionët e Shqipërisë do të jetë ndaj Vllaznisë, një ndeshje që trajneri Mirel Josa preferon ta quajë si ndeshjen e radhës.
“Luajnë dy skuadra që kanë emër në futbollin shqiptar, siç janë Kukësi dhe Vllaznia. Këtu duhet ta shohim më tepër rëndësinë e ndeshjes. Mungesat ndihen, kemi probleme nga ndeshja me Laçin. Kështu që do të shohim se si do t’i rikuperojmë këto probleme që kemi.
E ardhmja? Asnjëherë nuk është herët në këtë drejtim. E kam thënë edhe më parë, asnjëherë nuk më ka mbajtur kontrata me një klub, pavarësisht se kam kontratë edhe për sezonin e ardhshëm. Do të shikohet nëse klubi është i kënaqur me punën time dhe unë nëse jam i kënaqur me mënyrën se si funksionon klubi. Këto janë gjëra që do të marrin shumë shpejt rrugën e zgjidhjes.
Objektivi? Kukësi synon të grumbullojë sa më tepër pikë, lojtarët duhet të tregojnë mundësitë e tyre gjatë 90 minutave. Ky është objektivi kryesor i imi dhe i lojtarëve. Me këtë gjuhë u kam folur edhe futbollistëve.
Frikë për zonën play-out? E thashë edhe më parë që do të mundohemi të grumbullojmë sa më tepër pikë, siguri nuk ka. Duhet të japim maksimumin tonë në mënyrë që skuadra mos të ndihet papritur e pa kuptuar në një gjendje shoku.
Normal që nuk i kemi bërë punët ashtu siç duhet këto ndeshje, por do të flisnim ndryshe nëse skuadra nuk do të kishte marrë 4 pikët me Kastriotin dhe Tiranën. Ishin ato pikë që na dhanë njëfarë qetësie, qetësi që u prish më vonë, pavarësisht se kemi luajtur me skuadra që i donin me çdo kusht pikët dhe nuk ia kemi dalë”, u shpreh Josa.
KOHA JONË SONDAZH

