Juventus ndalet ndaj Bolognës, por mbetet në zonën Champions
Në ndeshjen e fundit të javës së 35-të të Serie A, Bologna dhe Juventus ndanë nga një pikë duke barazuar 1-1 në stadiumin “Dall’Ara”, një rezultat që gëzon më shumë skuadrat romane, Roma dhe Lazio, të cilat barazohen me bardhezinjtë në vendin e katërt me nga 63 pikë. Bologna ngjitet në kuotën e 62 pikëve, duke mbetur plotësisht në garë për një vend në Champions League.
Ndeshja nisi më mirë për skuadrën e Tudor, që kaloi në avantazh në minutën e 9-të me golin e Thuram, i ndihmuar edhe nga një ndërhyrje e dobët e portierit Skorupski. Në minutën e 30-të, polemika në zonën e Juventusit, ku McKennie rrëzon Freuler, por arbitri Doveri lejon lojën të vazhdojë dhe VAR nuk ndërhyn.
Barazimi erdhi në minutën e 54-të me një goditje nga brenda zonës nga mesfushori zviceran, që u devijua nga Veiga dhe e mashtroi portierin Di Gregorio.
Në javën e ardhshme priten dy përballje direkte të zjarrta për zonën Champions: Milan-Bologna dhe Lazio-Juventus.
KOHA JONË SONDAZH

