Klubet e Superligës përforcohen ndjeshëm në merkato
Një tjetër vit spektakolar pritet të jetë edhe sezonin e ardhshëm në Superligën Shqiptare. Klubet të cilat ishin protagonist absolut sezonin e kaluar me shumë mundësi do të jenë edhe kë sezonin 2017-2018-të. Kampionët në fuqi të Kukësit janë duke bërë një rrotacion në këtë merkato verore. Veri-lindorët nuk arritën të mbanin kontingjentin e lojtarëve me të cilët fituan titullin e parë kampion sezonin e kaluar. Madje ndryshimi ka filluar që nga stoli pasi u largua trajneri Ernest Gjoka për t’i lënë vendin serbit Mlladen Milinkoviç.
Një ndryshim i papritur ky në radhët e kuksianëve pasi Gjoka bëri një punë të jashtëzakonshme në këtë skuadër ku arriti të shpallë kampion të Shqipërisë. Largimi tjetër mjaft i rëndësishëm ishte edhe sulmuesi kroat Pero Pejiç. Krye golashënuesi i kampionatit shqiptar u nda paqësisht me klubin por largimi i tij ka lënë mbrapa një hapësirë të madhe.
Para pak ditëve nga skuadra u largua edhe mesfushori Nijas Lena drejt skuadrës së Teutës. Një largim i pritur pas mosmarrëveshjeve që pati me drejtuesit e klubit për çështje e kontratës. Të njëjtin fat kishte edhe sulmuesi Izair Emini. Ai pretendon se kontrata e tij me klubin veri-lindor ka përfunduar dhe për këtë arsye u largua në drejtim të skuadrës së Shkëndijës ku edhe po kryen stërvitjet. Megjithëse lojtari nuk mund të quhet lojtar i kësaj skuadre për arsye se nuk ka zgjidhur akoma çështjen e kontratës me Kukësin.
Një tjetër largim në rradhët e kampionëve është edhe ai i Albi Allësh. Ndërsa sa i përket portierit Koliçi ai vazhdon të hasë në rezistencë nga klubi për arsye të kontratës së pazgjidhur. Madje mësohet se portieri ka një marrëveshje për një kalim të mundshëm te skuadra e Skënderbeut por asgjë nuk është zyrtare. Ndërkohë që klubi ka ofruar në skuadër mesfushorin Hair Zeqiri, mbrojtësin Rustem Hoxha dhe së fundmi bomberin Elis Bakaj. Skuadra e Partizanit ka bërë një merkato të madhe në hyrje. Skuadra kryeqytetase ka ofruar në ekip Edgar Çanin, Prognin dhe Kotobellin, Erik Orlando, Egland Haxho dhe Kristo Merko.
Këto afrime erdhën pas largimeve të Ramadanit, Çetkoviç, Torasës, Mazrekaj dhe Khaleb Ekuban. Sa i përket klubit të Skënderbeut duhet thënë se kanë bërë një merkato shumë cilësore çka është vërtetuar edhe në paraqitjet e bëra në Europa League të cilët arritën deri në fazën play-off. Korçarët larguan nga skuadra Salihin, Predeskun, Orelesin e Fukui. Merkaton hyrëse e konkretizuan me afrimin e Takut, Bruna Dita, Donjet Shkodra, Ali Soue. Sa i përket të ardhmes së talentit Latifi, ai do të qëndrojë në skuadër në rast kualifikimi në fazën e grupeve.
Në rast se Skënderebu eliminohet me shumë mundësi ai do të largohet në drejtim të kampionatit të Belgjikës. Sa i përket skuadrave të tjera si Vllaznia, Flamurtari e Teuta kanë zhvilluar një merkato të mirë duhet thënë duke ofruar lojtarë të talentuar por mbetet për tu parë ecuria e tyre gjatë kampionatit të sezonit të ardhshëm. E rëndësishme është se sezonin e ardhshëm do të zhvillohet një sezon edhe më i bukur se ai i kaluar./Shekulli/
KOHA JONË SONDAZH

