Kryendeshja e së shtunës Kukësi-Partizani, spektakli nis me tifozët
Kukësi-Partizani do të jetë sot kryefjala e Kategorisë Superiore. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nisur nga rëndësia që ka kjo ndeshje, ka lajmëruar futjen falas të tifozëve në stadium, ndërkohë që presidenti i Partizanit, Gaz Demi, i është përgjigjur duke vendosur autobusë falas, pa limit, për tifozët e kuq, të cilët duan të udhëtojnë drejt Kukësit, në mbështetje të ekipit të tyre. Partizani i ka fituar dy përballjet e para të këtij sezoni me Kukësin, por nëse mundet në të tretën, ka gjasa të shkëputet dhe të distancohet nga kreu, duke zbehur shpresat për titull. Kukësi ndodhet aktualisht tre pikë para të kuqve në klasifikim, dhe ky fakt përveç avantazhit të fushës për vendasit, është një minus për kryeqytetasit. Dje Partizani mbylli përgatitjet e ndeshjes me Kukësin, në kompleksin sportiv “Tirana Internacional”, në Pezë. Trajneri Duro dhe stafi kanë kryer stërvitjen e vetme të karakterit tekniko – taktit duke testuar njëkohësisht edhe gjendjen fizike të lojtarëve. Për sfidën e sotme konfirmohen mungesat e Mazrekaj dhe Raçiç, të s’kualifikuar dhe ajo e Dajës që vazhdon të jetë në fazë rikuperimi nga dëmtimi. Pasditen e djeshme Partizani mbërriti në Kukës, ku edhe kaloi natën, në pritje të ndeshjes së sotme, me një ndër rivalët kryesorë për titullin kampion. Nga ana tjetër, Kukësi, humbi një javë më parë 1-2, në Laç, por shënoi gjashtë fitore radhazi, duke përfshirë edhe ndeshjet e kupës. Sot ndaj Partizanit, verilindorët do të kenë për arsye kartonësh mungesat e Hasanit, Hoxhës, Peqinit, Xheferson, e Micit.
Tirana-Elbasani
Përplasja mes Kukësit e Partizanit, si dhe transferta e Skënderbeut në Fier, ku përballë do të ketë Apoloninë që luan kartat e fundit të mbijetesës ka detyruar trajnerin Gugash Magani, të mbajë “lapsin” në dorë gjatë javës për të bërë llogaritë që skuadra e tij të shkëputet nga rivalët. Tirana, në mungesë të një stadiumi, në kryeqytet e pret sot Elbasanin e vendit të fundit, në Krujë. Ky do të jetë udhëtimi i fundit i Tiranës, por po ashtu edhe për Partizanin, jashtë kryeqytetit, pasi “Qemal Stafa” një javë më vonë do të jetë gati. Kësisoj, para se të kthehet para tifozëve të saj, në analizën e fundit trajneri i Tiranës Gugash Magani u ka bërë thirrje lojtarëve të mos e nënvlerësojnë Elbasanin dhe të rikthehet me petkun e kryesuesve nga Kruja. Bardheblutë shpresojnë të shkëputen këtë javë nga tre rivalët, për të nisur marshimin e tyre drejt titullit të 25-të kampion në Shqipëri.
Apolonia-Skënderbeu
Kjo ndeshje i ka të dyja anët e medaljes. Nga njëra anë, humbja për Apoloninë do të thotë se qëndrimi në Kategorinë Superiore duhet fshirë si “opsion” dhe nga ana tjetër humbja për kampionët në fuqi të Skënderbeut do të thotë që për titullin e 5-të radhazi kampion, iu duhet të besojnë edhe tek mrekullitë. Ndryshe nga katër sezonet e para, rivaliteti për titull këtë sezon është shumë i ashpër, aq më tepër që Skënderbeu ndodhet tre pikë pas kryesuesve të Tiranës e Kukësit. Vështirë se të dyja këto skuadra do të mundet këtë javë, por edhe nëse ndodh llogaritë dalin që të shkëputet Partizani, kështu disfata e mundshme e Skënderbeut në Fier, është përjashtuar para ndeshjes nga drejtuesit korçarë.
Smajli: Laska më kërkoi falje, të arrestohen agresorët në Laç
Mbrojtësi i Kukësit, Dritan Smajli, i cili u godit nga tifozët në ndeshjen e kaluar në Laç, thekson para ndeshjes së sotme, se presidenti laçian, Pashk Laska i ka kërkuar falje, por tifozët sipas tij, që e qëlluan me sende të forta, duhet të arrestohen. – “Presidenti i Laçit, Laska, më kërkoi falje, por për atë që ndodhi në fushë, duhet të të arrestohen autorët e dhunës,” – pretendon Smajli, i cili nga fusha e blertë përfundoi një javë më parë në spital. Pas incidenteve, Komisioni i Disiplinës në FSHF dënoi Laçin, me 5 ndeshja pa tifozë, por nuk i dha tre-pikëshin në tavolinë ekipit të Kukësit.
Skënderbeu “viktimë” e gjykimeve, dënohet gjyqtari Kridens Meta
Gjyqtari i ndeshjeve të fundit të Skënderbeut, Kridens Meta, është pezulluar nga FSHF-ja, për shkak se gaboi dhe i anuloi ekipit korçar një 11-metërsh. Pas ndeshjeve të fundit me Partizanin e me Laçin, ka pasur polemika të shumta, megjithatë, duket se pas penalizmit që i është bërë nga gjyqtari për një gol të mohuar në ndeshjen ndaj Laçit, Skënderbeut i është mohuar nga gabimet e gjykimit edhe fitorja ndaj Partizanit, çka do të thotë se me katër pikë më shumë kampionët do të ishin aktualisht në krye të klasifikimit.
Hair Zeqiri: Me Partizanin, sot e treta e vërteta!
Partizani viziton sot Kukësin, ku në stadiumin “Zeqir Ymeri” kërkon të shmangë medoemos humbjen, pse jo të marrë 3 pikët, që të rreshtohet në një pretendent serioze për të fituar titullin e munguar kampion, prej 20 vjetësh. Nga ana tjetër skuadra verilindore e sheh këtë 90 minutësh si tepër jetike për pretendimet e saj, mbi fitimin e titullit të parë kampion në histori. Fitoren Kukësi e sheh edhe si mundësi që të harrojë sa më shpejt disfatën e kaluar, sepse koha nuk premton për t’u fokusuar tek e shkuara, edhe pse skuadra e drejtuar nga Artim Shaqiri i kontestoi fuqishëm incidentet e ndodhura në Laç, ku u godit mbrojtësi Dritan Smajli, dhe më pas rezultati u përmbys në 2-1. Mesfushori vlonjat i Kukësit, Hair Zeqiri, karikon grupin e drejtuar nga Shaqiri për të dhënë maksimumin në këtë sfidë. – “Partizani është e vetmja skuadër që na ka mundur në të dyja ndeshjet e para dhe për këtë fakt ne jemi angazhuar maksimalisht. Shpresoj që këtë herë fituesi të jemi ne. Luajmë përballë tifozëve tanë prandaj dëshirojmë të marrim 3 pikët,” – thotë Zeqiri. Mesfushori vlonjat e pranon se sfidat mes kryesuesve do të jenë vendimtare për titullit kampion. – “Synimi ynë është që të fitojmë titullin. Sfidat me rivalët direktë në këtë garë janë shumë të rëndësishme, prandaj edhe objektivi i vetëm për sfidën e radhës është fitorja.” Pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e javës së kaluar, Komisioni i Disiplinës e dënoi fushën e Laçit me 5 ndeshje pa tifozë, për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushën e lojës. Pas gjithë asaj historie, 26-vjeçari nuk dëshiron të përfshihet në polemika. – “Nuk jam unë ai që duhet të komentoj vendimin e Komisionit të Disiplinës. Ata i kanë shqyrtuar të gjitha faktet, prandaj nuk mund të flas edhe pse më vjen keq që dolëm të humbur nga ajo ndeshje,” shprehet Zeqiri.
Kategoria Superiore
Java e 22-të/ Të shtunën
Teuta-Laçi 14:00
Apolonia-Skënderbeu 17:00
Tirana- Elbasani 14:00 (Krujë)
Flamurtari – Vllaznia 17:00
Kukësi-Partizani 14:00
KOHA JONË SONDAZH

