“Kujtonte se ishte presidenti i Anglisë, s’doja ta fyeja Ferguson”
Carlos Tevez luajti dy vite me Manchester United (2007-2009). Aventura e tij në “Old Trafford” pati momente fantastike, si Championsi i fituar në vitin 2008 ndaj Chelsea, por nuk munguan as problemet e hasura me Sir Alex Ferguson. Skocezi i famshëm e la në stol një vit më vonë, kur United u mposht në finalen e Champions League nga Barcelona (fitoi 2-0).
Atë verë zgjodhi të ndryshonte skuadër por jo qytet. Tevez vijoi karrierën te Manchester City, aty ku luajti 4 vite. Në sezonin e 2011-2012, djemtë e Mancinit rikthyen titullin kampion pas plot 50 vitesh. Emocione të mëdha për tifozët, teksa Tevez festoi me një pankartë thumbuese ndaj Alex Ferguson. “RIP, Fergie”, lexohej në të. 36-vjeçari i Boca Juniors e kujton kështu në prononcimin për Marca.
“Ferguson kujtonte se ishte presidenti i Anglisë. Ishte e pamundur të diskutoje me atë plakush. E dini pse? Do të dilje i humbur gjithsesi. Gaboi që më la në stol në finalen e Champions League në Romë. Ishte finalja e parë që po luante United që prej momentit që isha transferuar aty. Pankarta e festës? E lashë veten në dorë të emocioneve të momentit. Nuk doja të tregoja mungesë respekti, kam një respekt të madh për të si njeri dhe si trajner”, thekson Tevez. /abcnews.al