Kukësi “i tregon dhëmbët” Laçit, Korabi prish planet e Vllaznisë
Redjon Shtylla
Kukësi nuk gaboi në ndeshjen e tij ndaj Laçit, ku i bashkëngjitet Partizanit në krye të renditjes. Në stadiumin “Zeqir Ymeri”, në javën e 31-të të Kategorisë Superiore, skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka fitoi me rezultatin 2-1, duke u ngjitur në kuotën e 65 pikëve, po aq sa edhe të kuqtë.
Skuadra verilindore priti 43 minuta për të gjetur avantazhin në këtë ndeshje dhe ai që shënoi ishte goleadori Pero Pejiç. Skuadra laçjane u kundërpërgjigj në fillimin e pjesës së dytë me Januzin, që përfitoi edhe nga një gabim i mbrojtjes së Kukësit. Por ekuilibri në rezultat nuk zgjati shumë, pasi Kukësi 7 minuta më vonë u rikthye në avantazh, sërish me anë të Pejiç, i cili arriti në kuotën e 20 golave sezonalë. Kukësi i kundërpërgjigjet Partizanit pasi falë fitores ndaj Laçit dhe rimer kreun e klasifikimit. Zyrtarisht Kukësi shkon në sfidën direkte të javës së ardhshme me objektivin për të mos u mundur. Rastin e parë për shënim e kishin miqtë, pasi në minutën e 7-të ishte Ansi Nika që ju afrua goli, por Enea Kolici tregoi se jo më kot meriton lëvdatat e deritanishme, duke shpëtuar golin. 4 minuta më vonë ishte Izair Emini që me një gjysmërroveshatë gjuajti jashtë kuadratit.
Laçi i besoi kundërsulmit dhe në minutën e 27-të, ku Ansi Nika që doli i vetëm përballë Kolicit, por duke gjuan në mënyrë të gabuar. Pjesa e parë u mbyll me festë. Me shumë vuajtje Kukësi mori fitoren e 17 sezonale, duke shkuar në sfidën ndaj Partizanit me moralin e duhur. Për Laçin kjo humbje komplikon situatën teksa mbijetesa bëhet gjithnjë dhe më e vështirë.
Kukësi në ekuilibër
Ernest Gjoka, trajneri i Kukësit u shpreh se, e dinte mirë për vështirësinë e kësaj ndeshje. Sipas tij, kundërshtari kishte ardhur për të marrë pikë. “Ne duhet ta fitonim se s’bën këtë ndeshje, po ashtu edhe Laçi duke parë pozitat në të cilat ndodhet. Duke parë pozicionin që ndodhemi, Starova ka të drejtë që thotë “që na dridhen këmbët”, pasi një gabim në këto momente mund të na kushtojë titullin. Unë mendoj që qendra e mbrojtjes ishte shumë mirë. Gjithsesi mendoj që duhet të jemi më të qetë. Këto janë ndeshje që kanë presionin brenda, por e rëndësishme është që të mos gabojmë. Situatat në një lojë futbolli janë të ndryshme. Mendoj që jo shumë herë kemi qenë në jo ekuilibër. Gjithsesi, unë them që skuadra e Kukësit përgjatë gjithë kampionatit ka qenë në ekuilibër”,-përfundoi ai.
Nica nuk flet
Laçi humbi në transfertë kundër Kukësit me rezultatin 2-1. Kjo sfidë u gjykua nga gjyqtari Kridens Meta, por trajneri i kurbinasve Stavri Nica ka pasur rezerva për vendimet e dhëna. Në fund të takimit, mediat prisnin prononcimin e teknikut laçian, por në fund ai nuk pranoi duke u larguar. Madje gazetarët deklaruan se Nica kishte thënë: “Merrni në intervistë Kridens Metën”, duke nënkuptuar në këtë mënyrë pakënaqësinë kundrejt arbitrimit.
Korabi prish planet e Vllaznisë
Në ndeshjen tjetër të javës së 31-të të Kategorisë Superiore, Vllaznia u befasua në “Loro Boricci” nga Korabi i rënë nga kategoria, pasi që nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në sfidën me dibranët. Gurishta shënoi për Vllazninë në fundin e pjesës së parë, ndërsa Korabi u barazoi rezultatin me Prençin në minutën e ‘49. Korabi prish planet e Vllaznisë për Europën. Skuadra dibrane e rënë matematikisht në Kategorinë e Parë befasoi kuqeblutë me një barazim 1-1 në “Loro Boricci”, duke i dhënë asist Luftëtarit për vendin e katërt. Minutat shtesë e bënë edhe më të ethshme sfidën me goditjen e Gurishtës që u ndal thuajse në vijën fatale nga futbollistët e Korabit, të cilët e mbyllën sfidën me një kundërsulm të shpejtë, por pa mundur ta përmbyllë me gol.
Armando Cungu, trajneri i Vllaznisë, pas ndeshjes u shpreh se ekipi pati shumë raste, ku edhe falënderoi arbitrat. “I tërheq veshin dhe vetes time së bashku me lojtarët. E thashë edhe njëherë që Vllaznia nuk është mësimore për të mësuar dorën”,-përfundoi trajneri shkodran.
Ermal Nexhipi, trajneri i dibranëve deklaroi se barazimi i djeshëm, ishte dhurata më e bukur për ditëlindjen. “Është një pikë morali, u kthyem te goli dhe të kenë besim këta çuna që ta respektojnë kampionatin deri në fund. Kjo është dhurata e tyre për mua, nuk kemi marrë premio nga asnjë”, përfundoi Nexhipi.
Pikë morali
“U kthyem te goli dhe të kenë besim këta çuna që ta respektojnë kampionatin deri në fund. Sinqerisht unë po iu them që kjo është dhurata e tyre për mua, nuk kemi marrë premio nga asnjë”, tha trajneri i Korabit.
KOHA JONË SONDAZH

