Ky pritet formacioni i Shqipërisë sonte në mbrëmje ndaj Turqisë

Shqipëria sonte në mbrëmje do të luajë shanset e fundit për kualifikimin për në Kampionatin Europian të 2020-ës. Pasditen e sotme kuqezinjtë kanë kryer edhe seancën e fundit stërvitore, ndërsa trajneri Edi Reja thuajse ka ndarë mendjen plotësisht mbi futbollistët që do të hedhë në fushë dhe natyrisht që prioritet do të kenë ata që luajtën ndaj Islandës.

 

Kështu në portë pritet konfirmimi i Strakoshës, me Berishën që shpreson në një aktivizim 3 ditë më vonë në Moldavi, ndërsa mbrojtja do t’i besohet sërish 3-shes Gjimshiti-Dermaku-Ismajlaj, me Marash Kumbullën që do ta nisë nga stoli. Në mesfushë, në të majtë do të luajë Ermir Lenjani, ndërsa vendin e Hysajt në të djathtë do ta marrë Odise Roshi, që ndonëse dështoi në këtë rol ndaj Francës, këtë herë do të ketë më shumë detyra sulmuese.

Klaus Gjasula do të konfirmohet titullar, ndërsa në krah të tij do të luajë fantazisti Ledian Memushaj, që do të luajë me shiritin e kapitenit në krah. Dyshimi i vetëm është për futbollistin e tretë të qendrës së mesfushës, pasi Keidi Bare bëri mjaft mirë si ndaj Francës, ashtu edhe ndaj Islandës, por trajneri Edi Reja është i joshur nga mundësia për të aktivizuar nga minuta e parë Amir Abrashin. Në sulm nuk ka asnjë dilemë, pasi dyshja Manaj-Cikalleshi që do të aktivizohen nga minuta e parë, pas një 90-minutëshi shumë pozitivë që zhvilluan në Elbasan.

SHKARKO APP