Landa u tërhoq nga Giro d’Italia pas rrëzimit në Tiranë, spanjolli kthehet në vendlindje e falënderon mjekët
Mikel Landa është detyruar të tërhiqet nga Giro d’Italia 2024 pas rrëzimit të rëndë që pësoi në etapën e parë të garës, gjatë një disheze pranë zonës së Freskut në Tiranë. Lajmin e konfirmoi zyrtarisht ekipi i tij Soudal Quick-Step, duke njoftuar se çiklisti spanjoll tashmë ndodhet në vendlindjen e tij, ku do të nisë procesin e rikuperimit.
Pas incidentit, Landa u transportua me urgjencë në një spital në kryeqytetin shqiptar, ku iu nënshtrua ekzaminimeve të specializuara. Një CT skan zbuloi një frakturë të qëndrueshme në vertebrën TH11, çka e detyroi të kalojë natën në njësinë e kujdesit intensiv. Meqenëse nuk pati komplikime të mëtejshme, ai më pas u transferua në një dhomë të zakonshme dhe më pas u organizua kthimi i tij në shtëpi.
Sipas njoftimit zyrtar të ekipit, gjendja fizike e Landa është stabile dhe ai është me humor të mirë dhe optimist për fazën e rikuperimit që e pret. Në një deklaratë pas kthimit në Spanjë, vetë Landa tha: “Do të doja t’i falënderoja të gjithë për mesazhet e mbështetjes dhe dashurisë që kam marrë. Falënderoj gjithashtu mjekët në vendin e aksidentit dhe në spitalin e Tiranës, si edhe të gjithë ata te Soudal Quick-Step që u kujdesën për mua dhe më ndihmuan të kthehem në shtëpi. Do të jetë një rrugë e gjatë shërimi, por kjo mbështetje më jep forcë.”
KOHA JONË SONDAZH

