Lara Colturi kërkon zyrtarisht largimin nga Shqipëria për t’iu bashkuar Italisë

Në sport shpesh ndodh që një atlet të ndërrojë flamurin që përfaqëson, duke zgjedhur një shtet tjetër për karrierën e tij. Në shumë raste, kjo pasohet nga akuza për “tradhti kombëtare”, një ndjenjë që i shërben më shumë emocioneve të publikut sesa realitetit. Por historia e Lara Colturit është krejt ndryshe.

Skiatorja e talentuar italiane, në moshën vetëm 18-vjeçare, bëri diçka që askush nuk e priste: zgjodhi Shqipërinë si vendin që do të përfaqësonte në arenën ndërkombëtare. Dhe jo vetëm kaq – ajo i dha vendit tonë një arritje historike, duke rrëmbyer medaljen e argjendtë në kampionatin botëror të skive. Bota u habit, mediat ndërkombëtare folën për “mrekullinë shqiptare”, dhe për herë të parë, flamuri kuqezi u ngrit në një podium ku zakonisht s’jemi mësuar ta shohim.

Deri në moshën 15-vjeçare Lara garonte për Italinë, por konkurrenca e fortë dhe presioni i madh i karrierës e shtynë të kërkojë një rrugë tjetër. Shqipëria u bë ajo rrugë. Por pas disa sukseseve të rëndësishme, Lara u përball me një realitet të hidhur: mungesë mbështetjeje nga strukturat shqiptare, më konkretisht nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Me gjithë suksesin që solli, Lara nuk mori përkrahjen financiare që i takonte. KOKSH, një institucion që menaxhon miliona euro nga buxheti i shtetit, nuk mundi – ose nuk deshi – të mbështesë një kampione që po e vendoste Shqipërinë në hartën e sportit botëror. E zhgënjyer, Lara ka kërkuar zyrtarisht të largohet dhe të rikthehet për të garuar për Italinë. Madje, është e gatshme të kalojë një vit pa garuar, nëse Shqipëria nuk i jep lejen e kalimit.

Rasti i Lara Colturit është më shumë se një histori largimi – është një pasqyrë e qartë e dështimeve sistemike në menaxhimin e sportit në Shqipëri. Ajo nuk mund të quhet “tradhtare”. Ajo bëri më shumë për vendin tonë sesa shumë të tjerë që kanë qenë pjesë e sistemit për vite me radhë. Ajo e nderoi Shqipërinë, dhe tani po largohet sepse Shqipëria nuk dinte ta nderonte atë.

Në një vend ku nuk arrijmë të prodhojmë kampionë për shkak të mungesës së kushteve, ne po humbasim edhe ata që na vijnë gati. Ky nuk është vetëm një largim, është një kambanë alarmi për të gjithë sistemin sportiv shqiptar.

https://sport.quotidiano.net/en/ultimaora/lara-colturi-e-il-sogno-724d8337

 

 

SHKARKO APP