”Liga dha dritën jeshile për transferimin e Messit te Barcelona”, Tebas hedh poshtë pretendimet e Xavit
Presidenti i LaLiga, Javier Tebas ka hedhur poshtë deklaratat e ish-trajnerit të Barcelonës, Xavi Hernández, lidhur me përpjekjen për rikthimin e Lionel Messi në klub në vitin 2023. Në një intervistë për emisionin Estudio Estadio në Televisión Española, Tebas deklaroi se liga nuk kishte autorizuar asnjë operacion për transferimin e argjentinasit dhe mohoi se kishte dhënë ndonjë miratim financiar për marrëveshjen. “Nuk është e vërtetë. LaLiga nuk autorizoi asgjë dhe nuk kishte asnjë miratim për një operacion të tillë”, theksoi ai.
Reagimi i Tebas vjen pasi Xavi, në një intervistë të fundit për gazetën La Vanguardia, kishte pohuar se rikthimi i Messit në Barcelonë ishte shumë pranë realizimit gjatë kohës kur ai drejtonte ekipin. Sipas tij, pas përfundimit të Botërorit të Katarit, ai kishte kontaktuar personalisht me Messin dhe të dy kishin diskutuar për disa muaj rreth një rikthimi të mundshëm në “Camp Nou”. Xavi shpjegoi se lojtari ishte i gatshëm të rikthehej dhe se bisedimet kishin vazhduar deri në mars të vitit 2023.
Në të njëjtin rrëfim, ish-trajneri i Barcelonës tha se klubi kishte marrë edhe një “dritë jeshile nga LaLiga”, ndërsa negocionte kontratën me Jorge Messi, babai dhe agjenti i futbollistit. Tebas e kundërshtoi kategorikisht këtë version të ngjarjeve, duke theksuar se organizata që ai drejton nuk kishte dhënë kurrë miratim për një transferim të tillë. Xavi, në intervistën e tij, kishte treguar gjithashtu se marrëveshja u ndal nga presidenti i klubit, Joan Laporta, kur negociatat ishin tashmë në zhvillim.
KOHA JONË SONDAZH

