Lista U-19, “shpërthim” kritikash: Lala, me 5 lojtarë nga akademia e Bushit!
Të promovohesh është diçka e njohur për vendin tonë, por të vlesh është tjetër gjë. Më keq akoma, ata që promovohen nga disa “drejtues vizionarë”, të vetmit që nuk i kanë munguar asnjëherë Shqipërisë, i kanë mbyllur dyert mjaft të rinjve të talentuar të këtij vendi. Nëse ka një shpjegim se përse Shqipëria nuk arrin dhe nuk konkurron dot në arenën ndërkombëtare, është pikërisht ky fenomen që e ndjek historikisht nga pas. Ashtu sikurse nuk është aspak e vërtetë se ky vend prodhon më pak talentë se vendet e tjera. Çështja është sa dhe si kultivohet talenti. Edhe Kombëtarja Shqiptare që synon ëndrrën e saj të madhe për kualifikimin historik në Europianin 2016, mund ta arrijë atë falë pjesës më të madhe të lojtarëve që ka aktualisht në ekip, talenti i të cilëve është vlerësuar në klubet perëndimore.
Lista
Lista e lojtarëve të ftuar nga trajneri i kombëtares U-19, Altin Lala, ish-lojtar dhe kapiteni i kombëtares, ka ngjallur menjëherë reagime të shumta të të rinjve apo të afërmve të tyre, disa prej të cilëve kanë mbetur jashtë me pretendonin se meritonin me “plot gojën” të ishin pjesë e saj. Në listë bie në sy se nga 23 lojtarë mungesa të rëndësishme, si Milot Rashica, Francesco Tahiraj, Elhan Kastrati, Ardit Toli etj. Por nga lënia jashtë e tyre, janë ngritur dyshime se përse në këtë listë janë të ftuar 5 lojtarë nga ekipi “Akademia e futbollit”, akademi që drejtohet nga Alban Bushi dhe Redi Jupi, të dy punonjës të FSHF-së. Kjo dukuri ka ngritur dilema dhe ka bërë që në rrjetet sociale të konsiderohet se kjo listë lojtarësh është krijuar për të nderuar “miku-mikun” . Në fakt, nëse kjo është e vërtetë, drejtuesit e kombëtares mund të justifikohen fare lehtë. Kështu shkojnë punët në çdo sektor dhe në çdo fushë tjetër, në Shqipëri. Mjafton t’ia nisësh një analize me emrat e deputetëve, në parlament.
Ç’po ndodh?
Lojtarë të tjerë që pretendohet se kanë pasur sukses me klubet e tyre, si Amarildo Gjoka, Emanuel Ndoj, Ador Gjuci e Fabian Sakaj, janë lënë gjithashtu jashtë dhe janë ngritur dilema për të tjerë që janë bërë pjesë e këtij ekipi. Por, ama, si qëndron e vërteta!? Madje kritikat shkojnë edhe më tej, sepse drejtuesit e ekipit kombëtar U-19, apo të FSHF-së, nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të rrëmbyer ndonjë element cilësor, që luan me klube të rëndësishme evropiane, për lojtarë si Ylber Mejdi i Basel, Edon Hasani i Lazio, Albin Gashi, i Rapid Vien si dhe Kristi Marku, i Celtic. Gjithsesi, për të vërtetuar pretendimet e disa prej lojtarëve të lënë jashtë dhe atyre, që janë bërë aktualisht pjesë e ekipit U-19, do të ishte mirë të zhvillohej një ndeshje mes tyre, miqësore, dhe ndoshta do të nxirrte më në pah vlerat e secilit. Sa për lojtarët e grumbulluar së fundmi në ekipin kombëtar U-19, nga FSHF njoftohet se kanë nisur përgatitjet për të zhvilluar dy ndeshje miqësore me ekipin U-19 të Bosnjës në Bosnjë më 21 dhe 23 prill 2015. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në ora 16:30, në qytetin e Mostarit. Mbase edhe loja dhe rezultatet e këtyre miqësoreve do të tregojnë diçka nga përzgjedhjet për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi.
Lista e kombëtares U-19, para dy miqësoreve me Bosnjen:
1 Gentian Selmani (Kastrioti)
2 Klevis Hasanbelli (Akademia Futbollit)
3 Ardian Krasniqi (PSG)
4 David Domgjoni (KF Tirana)
5 Genti Dinaj (Dijon)
6 Keidi Bare (Atletiko Madrid)
7 Franc Bakalli (Steaua Bukuresht)
8 Aris Lalaj (KF Tirana)
9 Eriv Pula (KF Tirana)
10 Marko Cema (Partizani)
11 Emiljano Shehu (Platanias Greqi)
12 Sinisha Rajcevic (Vllaznia)
13 Rubin Hebaj (KF Vllaznia)
14 Ylli Cermjani (Germany)
15 Bernard Baruti (Hildesheim)
16 Ardit Humolli (Rapid Vienë)
17 Elivis Kovaci (Akademia Futbollit)
18 Sherif Kalllaku (Akademia Futbollit)
19 Briland Ahmeti (Akademia Futbollit)
20 Kristi Jahori (Akademia Futbollit)
21 Brajan Tola (KF Tirana)
22 Glejdis Ndraxhi (KF Teuta)
23 Besmir Rada (Bonner SC)
KOHA JONË SONDAZH

