Liverpooli barazon me ekipin e Ligës së tretë, United fiton me 6 gola (VIDEO)
Liverpool u befasua në FA Cup nga modestët e Shrewsbury, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2, duke u detyruar ta zgjidhë kualifikimin pas një ndeshjeje shtesë në “Anfield Road”. Jurgen Klopp u kishte dhënë mundësi të luanin, lojtarëve që kanë marrë më pak minuta gjatë këtij sezoni, ndërsa nuk munguan as të rinjtë si Jones, Minamino, Laroucci, etj., përkrah “veteranëve” si Lovren, Matip e Origi.
“The reds” zhbllokuan sfidën me Jones në minutën e 15’, ndërsa në fillim të pjesës së dytë ishte një autogol i Love, që dyfishoi avantazhin e të besuarve të Klopp, duke dhënë idenë se kualifikimi do të mbyllej që sot. Megjithatë vendasit reaguan mirë dhe shënuan dy herë me anë të Cummings, duke rikthyer baraspeshën dhe duke fituar një tjetër shans për të luajtur me Liverpool, këtë herë në “Anfield Road”.
Fitore të thellë 0-6 mori edhe Manchester United në transfertën ndaj Tranmeres, duke siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të FA Cup. Maguire, Dalot, Lingard, Jones, Martial e Greenwood ishin autorët e golave për “Djajtë e Kuq”.