Liverpooli dhe Leicester të pandalshëm, Arsenali ndalet sërish (VIDEO)
Liverpooli nuk ka ndërmend të ndalet këtë sezon në Premier League. Skuadra e Jurgen Klopp fitoi me shumë vështirësi 2-1 në transfertën e vështirë ndaj Crystal Palace, duke ruajtur vendin e parë me 37 pikë.
Tomkins shënoi për vendasit në pjesën e parë, por goli do të anulohej për një faull në zonë. Në fillimin e pjesës së dytë, Sadio Mane është me shumë fat, teksa një goditje e tij në zonë, shkon në shtyllë dhe më pas në rrjetë. Zaha do të shënonte golin e barazimit 8 minuta nga fundi, por Liverpooli do të reagonte mjaft mirë duke gjetur sërish golin dy minuta më pas me Firminhon. Braziliani përfitoi nga një rrëmujë në zonën e rivalëve.
Leicester ndërkohë vijon të fitojë me një lehtësi të frikshme 2-0 ndaj Brighton. Miqtë do të kalonin në avantazh me një gol të shënuar me një kundërsulm vrastar nga Ayoze Perez, pas një pasimi fantastik të Vardy. Sulmuesi anglez shënoi golin e dytë nga pika e bardhë, teksa “Dhelprat” ruajnë vendin e dytë me 29 pikë.
Arsenali nuk mundi të shkonte më shumë se një barazim 2-2 ndaj Southampton. Lacazette shënoi dy gola me peshë për “topçinjtë”, që u gjendën për shumë kohë në disavantazh nga golat e Ings dhe Ward-Prowse./R.Lika-Koha Jone/