Liverpooli eliminohet nga Carabao Cup pas humbjes 3-0, Slot: Kjo s’është e pranueshme!
Kriza në kampin e Liverpool-it po thellohet. “Të kuqtë” u eliminuan nga Carabao Cup pas një humbjeje të rëndë 3-0 ndaj Crystal Palace, duke zgjatur serinë negative të rezultateve. Për trajnerin Arne Slot, situata ka kaluar çdo kufi të pranueshëm për një klub të madh si Liverpool.
“Nuk është në standardet e Liverpool-it të humbasë pesë nga gjashtë, apo gjashtë nga shtatë ndeshje. Kjo nuk është e pranueshme. Presioni tani është shumë i madh për javën e ardhshme, kur do të përballemi me tre skuadra shumë të forta”, deklaroi Slot pas ndeshjes.
Tekniku holandez pranoi se zgjedhjet e tij në formacion kanë qenë të detyruara nga mungesat dhe dëmtimet: “Të gjithë kanë të drejtën të kenë mendimin e tyre, por ne kemi vetëm 15 ose 16 lojtarë të gatshëm nga ekipi i parë. Me katër dëmtime, kjo është skuadra që kam mundur të vendos sot në fushë.”
Slot kujtoi edhe sfidën e fundit në Kupën e Ligës kundër Southampton, kur një tjetër lojtar i rëndësishëm, Leoni, pësoi dëmtim serioz.
“Njerëzit flasin për paratë që ka shpenzuar Liverpool, por realiteti është ndryshe. Nuk kemi një skuadër aq të gjerë sa duket. Kam vetëm një mbrojtës të djathtë, Conor Bradley, dhe detyrohem ta aktivizoj shpesh përtej limiteve fizike. Kjo ka sjellë probleme me dëmtime në kofshë apo muskuj.”
KOHA JONË SONDAZH

