Lorik Cana “i thyen hundët” Marchetti-t, porta e Lazios i mbetet Berishës
Për një vend titullari të portierit Etrit Berisha tek Lazio duket se ka menduar shoku i tij i skuadrës edhe në kombëtaren tonë, Lorik Cana. Berisha pas festimeve për kualifikimin në finalen e Kupës së Italisë, ndaj Napolit ku luajti titullar dhe skuadra e tij fitoi 1-0 në “San Paolo”, duket se do ta ketë të sigurtë një vend në portë edhe për ndeshjet e ardhshme të Seria A. Mëngjesin e sotëm Lazio ka rinisur stërvitjen, në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Empoli-t. Por në seancën stërvitore brenda grupit, Lorik Cana ka nxjerrë “knock-out” portierin italian Federico Marchetti, duke e dëmtuar atë rëndë pas një përplasje. Marchetti, i cili ka luajtur titullar në ndeshjet e kampionatit, menjëherë ka braktisur stërvitjen, pas një bërryli të marrë në hundë nga shqiptari. Rezultati? Hundë e thyer dhe mungesë e sigurt të paktën në ndeshjen e ardhshme. Për pasojë, Etrit Berisha do të konfirmohet titullar në portë, pas ndeshjes së kupës kundër Napoli-t, si ndaj Empolit edhe për disa nga ndeshjet e mbetura të Seria A.
KOHA JONË SONDAZH

