Luajtën kundër izraelitëve në Europa League, Irani përjashton dy lojtarë nga kombëtarja
Irani ka përjashtuar dy lojtarë nga kombëtarja pasi janë përballur me një klub izraelit në Europa League, bëri të ditur një zëdhënës i qeverisë.
Kapiteni i kombëtares, Masoud Shojaei, 33 vjeç, dhe mesfushori Ehsan Haji Safi, 27, luajtën për Panioniosin e Greqisë kundër Maccabi të Tel Avivit javën e shkuar.
Edhe pse nuk morën pjesë në ndeshjen e parë në Tel Aviv, ata luajtën në ndeshjen në shtëpi më 3 gusht, që përsëri përbën shkelje të politikës së qeverisë iraniane.
Irani nuk e njeh Izraelin si shtet dhe ua ka ndaluar të gjithë sportistëve të tij të konkurrojnë kundër çfarëdo skuadre izraelite.
“Është e sigurt që Masoud Shojaei dhe Ehsan Haji Safi nuk do të thirren kurrë më me kombëtaren pasi kanë kaluar vijën e kuqe”, tha zëvendministri iranian i sporteve Mohammad Reza Davarzani në televizionin shtetëror.
“Ata kanë kontratë financiare me një klub që i paguan për të luajtur me skuadrën, por të luash me përfaqësuesit e një regjimi të urryer… kjo është e papranueshme për popullin iranian”.
Shojaei, i cili ka 70 ndeshje me kombëtaren, ishte vendimtar në kualifikimin e Iranit për Kupën e Botës 2018.
Haji Safi, 84 ndeshje, ishte në stol në fitoren përcaktuese kundër Uzbekistanit në qershor dhe pritej të shkonte me kombëtaren në Rusi vitin tjetër.
Shojaei u fut në telashe edhe në qershor, kur i kërkoi presidentit Hassan Rouhani të lejoheshin gratë në stadium për të ndjekur skuadrën.
Në Iran femrat nuk lejohen në stadium që nga viti 1979, pasi arenat shihen si të papërshtatshme për gratë.
KOHA JONË SONDAZH

