
Luis Enrique është i kënaqur me paraqitjen e Paris Saint-Germain në fitoren 4-2 ndaj Barcelonës në Champions League, por nuk dëshiron që skuadra e tij të konsiderohet favorite absolute për triumfin në këtë kompeticion. Trajneri spanjoll vlerësoi lojën e ekipit, duke theksuar se momentet vendimtare të sezonit do të vijnë më vonë.
“Ne jemi një skuadër që përshtatet me atë që ndodh në fushë. Kemi një stil agresiv dhe besojmë te mënyra jonë e të luajturit. Kjo ndeshje tregoi se çfarë lloj skuadre jemi”, u shpreh tekniku spanjoll.
Pavarësisht fitores së rëndësishme, Luis Enrique nuk dëshiron të flitet për Paris Saint-Germain si skuadra që duhet të fitojë patjetër Champions League.
“Nuk më intereson kjo, sepse nuk e konsideroj PSG-në favorite. Kjo ndeshje nuk është vendimtare. Muaji vendimtar do të jetë prilli, kur do të luhen ndeshjet me eliminim direkt”, deklaroi trajneri.
Ai theksoi se deri në atë moment, objektivi i parisienëve është të fitojnë çdo ndeshje dhe të ruajnë mentalitetin që i karakterizon.
“Deri atëherë, duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Pjesa tjetër nuk është e rëndësishme. Mentaliteti dhe qëndrimi janë pjesë e ADN-së sonë”, përfundoi Luis Enrique.
