Luiza Gega kundër flamurit kuqezi që u shfaq në “Paris 2024”: Ishte stil kinez, s’do pranoja ta mbaja!
Luiza Gega shprehu kritika për flamurin që u mbajt nga ekipi shqiptar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Paris 2024, mbrëmjen e së premtes në kryeqytetin francez.
Në një bashkëbisedim me gazetarin Besard Jacaj, atletja Gega tha se flamuri ishte imitim kinez dhe nëse ajo do të kishte qenë flamurmbajtëse, nuk do të kishte pranuar që të parakalonte me atë flamur.
“Ajo që nuk më pëlqeu është se vura re që flamuri ynë nuk ishte siç duhej, shqiponja nuk ishte shqiponja e vërtetë, pra ishte ai imitimi kinez dhe kjo nuk më pëlqeu, sepse mendoj që unë të paktën nuk do ta kisha pranuar kurrsesi. Duhet pasur një kujdes shumë i madh kur bëhet fjalë aq më tepër për flamurin, sepse kjo është arsye përse ne shkojmë aty, të prezantojmë kombësinë nga vijmë, ngjyrat e flamurit, etj.
Këtë e ka Komiteti Olimpik, apo organizatorët? Nuk e kam idenë të them të drejtën, vetëm e vura re nga rrjetet sociale dhe pashë… sepse e di shumë mirë sesi është shqiponja, qoftë tek kthetrat, qoftë tek sqepi, qoftë tek bishti. Po të kisha qenë flamurmbajtëse nuk do të kisha pranuar kurrsesi që të parakaloja me një flamur që nuk është i duhuri”, deklaroi Luiza.
Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar pas lajmit se në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Paris, u shfaq një flamur shqiptar që ishte imitim kinez. Zhupa e quan një skandal të Komitetit Olimpik Shqiptar mungesën e seriozitetit për simbolet kombëtare.
Postimi i Zhupës:
Në Lojrat Olimpike, Shqipëria çon një flamur skandaloz imitim kinez, duke përdhosur dinjitetin kombëtar dhe simbolet kombëtare. Mungesa e kujdesit dhe seriozitetit për simbolet kombëtare, për Flamurin Kuq e Zi, është një skandal i Komitetit Olimpik Shqiptar. Turp i madh!
Një moment i tillë duhej vlerësuar dhe kuruar me detaje, por mesa duket kujdesen më shumë që të bëjnë foto krah garuesve kur dalin kampion, edhe të mbajnë fjalime për meritat e qeverisë.
Në drejtim të komisionit të edukimit garantoj që cështja e sportit nuk do jetë më një çështje e harruar, e paprekur, por çështje që do trajtohet me rëndësinë e duhur, për peshën që duhet ketë për rininë dhe për krenarinë kombëtare në garimet ndërkombëtare