
Çështja gjyqësore që rëndon mbi Manchester City vazhdon të mbajë në ankth tifozët dhe opinionin sportiv anglez. Ndërsa rivalët shpresojnë për sanksione të ashpra ndaj kampionëve të Premier League, në kampin e “Citizens” mbizotëron pritja për një vendim që mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e klubit.
Sipas skenarëve që po diskutohen, Manchester City rrezikon jo vetëm një gjobë të konsiderueshme financiare, por edhe masa sportive që mund të ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e tij. Ndër mundësitë e përmendura është edhe rënia nga kategoria, ndërsa skenari i një qëndrimi për dy sezone në Championship do të përbënte një goditje të rëndë për klubin, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë ekonomik.
Një tjetër element që ka shtuar shqetësimin lidhet me kompetencat e autoriteteve përgjegjëse për mbikëqyrjen e futbollit anglez. David Kogan, president i IFR-së, ka folur për fuqinë që mund të kenë organet përkatëse në rastet kur një pronar konsiderohet se nuk e administron klubin në mënyrë të përshtatshme, të barabartë apo të drejtë.
“Ne kemi fuqinë absolute për ta bërë këtë. Nuk do të prononcohem derisa të kemi të gjitha përgjigjet. Vetëm atëherë do të vendosim nëse do të nisim një hetim dhe si do të procedojmë. Të veprosh para kohe do të ishte një gabim shumë i madh”, është shprehur Kogan.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një vendim përfundimtar që konfirmon zbatimin e masave të tilla ndaj Manchester Cityt.
