Mbappe u dënua me një ndeshje, shpërthen zv.presidenti i Barcelonës: Turp, nëse do të na ndodhte ne …

Në Spanjë vazhdon të diskutohet me tone të larta për episodin e kartonit të kuq që sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappé, mori në ndeshjen kundër Alaves, të fituar nga “Los Blancos” me rezultatin 1-0. Ylli francez u ndëshkua me të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Antonio Blancos, por, pavarësisht ashpërsisë së faullit, Federata Spanjolle e dënoi me vetëm një ndeshje pezullim.
Ky vendim ka ngjallur reagime të forta, veçanërisht nga kampi i Barcelonës. Zëvendëspresidenti i klubit katalanas, Rafael Yuste, ka komentuar ngjarjen gjatë një interviste për programin El Món në RAC-1, duke e cilësuar të pajustifikueshëm trajtimin që iu bë rastit.
“Do ta quaja absurde, ishte një faull shumë i rëndë që mund të kishte shkaktuar një frakturë apo një dëmtim serioz. Nëse një gjë e tillë do të kishte ndodhur ndaj ndonjë prej lojtarëve tanë , gjë që nuk do të ndodhë sepse lojtarët tanë janë të pastër,nuk e di si do të reagonte opinioni publik. Ky është një shembull i keq për futbollin. Është një turp ” u shpreh Yuste. /R.Lika-Koha Jonë/