
Lisandro Martinez mund të largohet nga Manchester United gjatë merkatos së ardhshme, pasi raportohet se ka arritur një marrëveshje paraprake për kushtet personale me Atlético Madridin. Mbrojtësi argjentinas duket se e ka ndarë mendjen për të nisur një aventurë të re në futbollin spanjoll.
Sipas medias “CaughtOffside”, 28-vjeçari dëshiron të largohet nga “Old Trafford”, ndërsa deri më tani nuk ka pasur komunikim zyrtar mes dy klubeve për realizimin e transferimit. Megjithatë, raportohet se në Madrid është zhvilluar një takim për të diskutuar mundësinë e këtij operacioni.
Edhe “TEAMtalk” bën të ditur se Martínez nuk dëshiron të vazhdojë qëndrimin te Manchester United dhe nuk ka ndërmend të aktivizojë klauzolën për zgjatjen e kontratës edhe me një vit. Marrëveshja aktuale e argjentinasit me klubin anglez përfundon në vitin 2027.
Kohët e fundit, mbrojtësi ka qenë në qendër të kritikave për disa gabime në fushë, veçanërisht pas humbjes 2-0 ndaj Chelseat. Ish-futbollistët Freddy Ljungberg dhe Peter Schmeichel kanë kritikuar paraqitjet e tij, ndërsa Danny Murphy e ka cilësuar si një barrë për skuadrën.
Merkatoja e janarit mund të jetë mundësia e fundit për Manchester United që të përfitojë financiarisht nga largimi i tij, përpara se kontrata të hyjë në vitin e fundit.
