Mbrojtja “fut” ujë, Interi ka 5 ditë kohë për të korrigjuar gabimet para duelit me Romën

Interi po përjeton një moment që kërkon reflektim. Mund të quhet mungesë përqendrimi, shpërqendrim apo edhe një dozë e tepruar vetëbesimi, por një fakt është i pamohueshëm: skuadra e Cristian Chivut po pëson shumë gola.

Në tri ndeshjet e fundit, zikaltërit kanë pësuar plot shtatë gola dhe në të tria rastet janë gjendur në disavantazh të dyfishtë, 0-2. Kundër Napolit dhe Udineses, reagimi ishte i fuqishëm dhe solli përmbysjen, ndërsa ndaj Real Madridit reagimi nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e takimit.

Problemi kryesor duket se lidhet me gabimet individuale dhe kolektive në fazën mbrojtëse. Në Madrid, për shembull, Martinez pati përgjegjësi në golin e Valverdes, ndërsa ndaj Udineses problemet ishin më shumë të natyrës kolektive.

Swiss Digital Desktop Reklama

Interi po u lejon kundërshtarëve shumë hapësira, veçanërisht në pjesët e para të ndeshjeve. Chivu ka përdorur rotacion të vazhdueshëm në qendër të mbrojtjes, por deri tani nuk ka gjetur ende kombinimin që i jep skuadrës garancitë maksimale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Bastoni është shfaqur si mbrojtësi më i qëndrueshëm, ndërsa Akanji ka pasur disa momente pasigurie. Bisseck mbajti përgjegjësi për pjesërisht golin e parë të Realit, ndërsa Stones, i aktivizuar titullar ndaj Udineses, pati vështirësi përballë Davis dhe u largua më pas për shkak të problemeve muskulore.

Megjithatë, nëse mbrojtja është shqetësimi kryesor, sulmi vazhdon të jetë pika më e fortë e skuadrës. Kur Interi arrin të shfaqë të gjithë potencialin e tij ofensiv, kundërshtarët e kanë jashtëzakonisht të vështirë ta ndalin.

Këtë e tregoi edhe ndeshja ndaj Udineses. Lautaro Martinez nuk u aktivizua, me qëllim shmangien e një mbingarkese fizike pas një fillimi shumë intensiv të sezonit. Në vend të tij, golat erdhën nga Thuram, Pio Esposito dhe Bonny, duke konfirmuar thellësinë e madhe që Interi ka në repartin ofensiv.

Një tjetër pikë që mund të diskutohet është zgjedhja e mesfushës. Përballë një skuadre dinamike si Udinese, aktivizimi i njëkohshëm i Zielinskit dhe Mkhitaryanit, dy lojtarë në një fazë më të avancuar të karrierës, mund të jetë një element që Chivu duhet ta rishikojë në ndeshjet e ardhshme.

Në fund, pyetja kryesore për Interin është nëse këto probleme vijnë thjesht nga shpërqendrimi apo nga një tepricë vetëbesimi. Mendimi se “jemi Interi dhe në një mënyrë apo tjetër do ta përmbysim” mund të jetë i rrezikshëm.

Në Madrid, përmbysja nuk erdhi. Ndaj Napolit, goli i fitores u shënua vetëm në sekondat e fundit të kohës shtesë. Kjo tregon se Interi nuk mund të mbështetet gjithmonë te reagimet e tij të fuqishme.

Skuadra e Gasperinit është një kundërshtar që nuk fal gabimet dhe që di të shfrytëzojë hapësirat. Mbrojtja e Interit do të përballet me një presion të madh, ndërsa çdo humbje përqendrimi mund të kushtojë shtrenjtë.

Përballja e 19 shtatorit mund të jetë kështu shumë më tepër se një ndeshje e radhës. Ajo mund të shërbejë si një pikë kthese për Interin dhe për garën për titullin.

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?