
Emigracioni nga njëra anë, pasiguritë sociale dhe ekonomike nga tjetra… deri në shtator erdhën në jetë 729 bebe më pak se vjet. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga 16 mijë e 745 vitin e shkuar, numri i lindjeve ra në 16 mijë e 16 në 9-mujorin janar-shtator.
Në vitin 1990, por edhe në vitin 1992, Shqipëria kishte rreth 90 mijë lindje në vit. Sot nuk e kalon shifrën e 26 mijë lindjeve. Kjo tregon përmasën e ndryshimit që ka pësuar shoqëria shqiptare. Familjet janë më të vogla, çiftet po e shtyjnë gjithnjë e më shumë momentin e krijimit të familjes dhe vendimi për të pasur fëmijë ndikohet nga shumë faktorë ekonomikë e socialë.
Tirana është qarku me numrin më të lartë të foshnjave, ndërsa Korça regjistroi 220 vdekje më tepër se lindjet.
“Është bërë shumë e vështirë për një familje të re që të marrë vendimin për të pasur fëmijë pa menduar gjatë për të ardhmen. Shpenzimet janë të shumta, nga shtëpia dhe ushqimet, deri te kujdesi për fëmijën, kopshti apo shkollimi. Edhe nëse dëshiron të kesh një familje më të madhe, në shumë raste kushtet ekonomike të detyrojnë të mendosh ndryshe. Mendoj se shumë të rinj sot e shtyjnë krijimin e familjes pikërisht sepse nuk ndihen të sigurt”, shprehen qytetarët.
Me vendin që po prek nivele dramatike të tkurrjes së popullsisë, në vend të 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin, nga 1 korriku i vitit të ardhshëm shteti do të japë para çdo muaj nga momenti i lindjes së bebes e deri sa të bëhet vjeç.
“Kur flasim për rënien e lindjeve, nuk duhet ta shohim këtë vetëm si një zgjedhje individuale të çifteve. Është një fenomen që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si është organizuar shoqëria dhe me kushtet në të cilat jetojnë familjet e reja. Një çift që përballet me pasiguri në punësim, kosto të larta të jetesës, vështirësi për të siguruar një banesë dhe mungesë të shërbimeve të mjaftueshme për fëmijët, natyrshëm e mendon më gjatë vendimin për të pasur një fëmijë. Prandaj, në këto kushte, roli i shtetit bëhet më i rëndësishëm se kurrë”, thotë Eris Dhamo, sociologe.
